Edhe një engjëll i Zotit i foli Filipit duke thënë: Ngrihu e shko nga jugu, në rrugën që zbret prej Jerusalemit në Gazë. Kjo është shkretëtirë. Edhe ai u ngrit e shkoi.
Edhe ja një njeri, Etiopian, eunuk, ofiqar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së Etiopianëve, i cili ishte mbi gjithë thesarët e saj; ky kishte ardhur që të falet në Jerusalem. Edhe në kthim, duke ndenjur mbi qerren e tij, po lexonte profetin Isaia. Edhe Fryma i tha Filipit: Afrohu e ngjitju kësaj qerreje. Edhe Filipi shkoi me vrap afër, e dëgjoi atë duke lexuar profetin Isaia, edhe tha: A i kupton vallë ato që lexon?
Edhe ai tha: E si mundem, në mos më udhëzoftë njeri? Edhe iu lut Filipit të hipë e të rrijë bashkë me të. Edhe pjesa e shkrimit që po lexonte ishte kjo: “U pru si dele për therje, edhe si qengj pa zë përpara atij që e qeth, kështu nuk hap gojën e tij. Në përuljen e tij u ngrit gjyqi i tij; edhe brezin e tij kush do ta tregojë? Sepse ngrihet prej dheut jeta e tij”. Edhe eunuku u përgjigj e i tha Filipit: Të lutem, për cilin e thotë profeti këtë? Për veten e tij, apo për ndonjë tjetër? Atëherë Filipi hapi gojën e tij, edhe duke u nisur nga ky shkrim i dha atij lajmin e mirë për Jisuin.
Edhe tek po ecnin udhës, erdhën pranë një uji; edhe eunuku thotë: Ja ujë, çfarë më ndalon të pagëzohem? Edhe Filipi i tha: Në beson me gjithë zemër, mundesh. Edhe ai u përgjigj e tha: Besoj se Jisu Krishti është i Biri i Perëndisë. Edhe urdhëroi të qëndrojë qerrja; edhe zbritën të dy në ujë, Filipi dhe eunuku; edhe e pagëzoi. Edhe kur dolën nga uji, Fryma e Zotit rrëmbeu Filipin dhe eunuku s’e pa më, por shkonte udhës së tij duke u gëzuar.
Edhe kjo është dëshira e atij që më ka dërguar, kushdo që sheh Birin dhe i beson, të ketë jetë të përjetshme; edhe unë do ta ngjall në ditën e fundit.
Judenjtë pra, ankoheshin për atë, se tha: Unë jam buka që zbrita nga qielli. Edhe thoshin: A nuk është ky Jisui, i biri i Josifit, të cilit ne i njohim të atin dhe të ëmën? Si thotë pra ky se kam zbritur nga qielli?
Jisui pra, u përgjigj e u tha atyre: Mos pëshpërisni me njëri-tjetrin. Asnjë s’mund të vijë tek unë, në mos e tërheqtë Ati që më ka dërguar; edhe unë do ta ngjall atë në ditën e fundit.