E shtunë, 6 maj 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 9:19-31.

Edhe Sauli ndenji disa ditë bashkë me nxënësit që ishin në Damask. Edhe menjëherë predikonte Jisuin nëpër sinagogat, se ky është i Biri i Perëndisë. Edhe të gjithë ata që dëgjonin mahniteshin e thoshin: A nuk është ky ai që prishi në Jerusalem ata që thërrisnin në këtë emër, edhe këtu për këtë kishte ardhur, që t’i çojë ata lidhur te kryepriftërinjtë? Po Sauli më tepër forcohej, edhe i turbullonte Judenjtë që rrinin në Damask, duke treguar se ky është Krishti. Edhe si shkuan mjaft ditë, Judenjtë u morën vesh ta vrasin. Po vendimi i tyre i ra në veshë Saulit; edhe ruanin dyert ditë e natë që ta vrisnin. Atëherë nxënësit e morën natën, edhe e zbritën nga muri, duke e varur atë në një shportë. Edhe Sauli, si erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënësit; po të gjithë kishin frikë prej tij, sepse nuk besonin se është nxënës. Po Varnava e mori, edhe e pruri tek apostujt dhe u tregoi atyre si pa Zotin në udhë, edhe se i foli atij, edhe si në Damask fliste me guxim në emrin e Jisuit. Edhe ishte duke hyrë e duke dalë bashkë me ata në Jerusalem, edhe duke folur me guxim në emrin e Zotit Jisu. Edhe fliste e hahej me Greqishtarët; po ata kërkonin ta vrisnin. Edhe vëllezërit kur e morën vesh, e zbritën në Qesari, edhe e dërguan në Tars. Kishat pra nëpër gjithë Judenë e Galilenë e Samarinë kishin paqe, edhe ishin duke u ndërtuar e duke ecur me frikën e Zotit, edhe me anë të ngushëllimit të Frymës së Shenjtë shumoheshin.

UNGJILLI - Joani 15:17-16:2.

Këto ju urdhëroj që të doni njëri-tjetrin. Nëse ju urren bota, dijeni se mua më ka urryer më parë se ju. Të ishit prej botës, bota do të donte të sajën; po meqenëse nuk jeni nga bota, por unë ju zgjodha ju nga bota, prandaj ju urren bota. Mbani mend fjalën që ju thashë unë juve, nuk ka shërbëtor më të madh se i zoti. Nëse më përndoqën mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse ruajtën fjalën time, do të ruajnë edhe tuajën. Po të gjitha këto do t’jua bëjnë juve për emrin tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi. Të mos kisha ardhur e të mos ju kisha folur atyre, nuk do të kishin mëkat; por tani nuk kanë ç’të thonë për mëkatin e tyre. Ai që më urren mua, urren edhe Atin tim. Të mos kisha bërë ndër ata punët që s’i ka bërë asnjë tjetër, nuk do të kishin mëkat; po tani edhe panë, edhe na urryen edhe mua edhe Atin tim. Po kjo u bë që të përmbushet fjala që është shkruar në ligjin e tyre: “Më urryen pa ndonjë shkak”. Po kur të vijë Ngushëllimtari, të cilin do t’jua dërgoj unë juve prej Atit, Fryma e së vërtetës, që buron prej Atit, ai do të dëshmojë për mua. Po edhe ju dëshmoni, sepse që në fillim jeni bashkë me mua. Jua thashë juve këto, që të mos skandalizoheni. Do t’ju nxjerrin nga sinagogat; por vjen një orë, në të cilën kushdo që t’ju vrasë do të pandehë se i bën shërbim Perëndisë.