Edhe Filipi u gjend në Azot, edhe duke shkuar jepte lajmin e mirë nëpër gjithë qytetet, deri sa erdhi në Qesari.
Edhe Sauli, ende duke shfryrë kërcënime e vrasje kundër nxënësve të Zotit, erdhi te kryeprifti, edhe kërkoi prej atij letra për sinagogat në Damask, që nëse gjen disa që janë të kësaj udhe, burra a gra, t’i sjellë lidhur në Jerusalem.
Edhe duke shkuar, tek afrohej në Damask, papandehur vetëtiu rreth tij një dritë prej qiellit. Edhe ai si ra përdhe, dëgjoi një zë që i thoshte atij: Saul, Saul, pse më përndjek?
Edhe ai tha: Cili je ti, o Zot? Edhe Zoti tha: Unë jam Jisui që ti përndjek. Është keq për ty t’u biesh thumbave me shkelma. Edhe ai duke u dridhur e duke u habitur tha: Zot, ç’do që të bëj unë?
Edhe Zoti i tha: Ngrihu e hyr në qytet, edhe do të të thuhet ç’duhet të bësh. Edhe burrat që udhëtonin bashkë me të, rrinin të habitur, sepse zërin e dëgjonin, po asnjë nuk shihnin. Edhe Sauli u ngrit nga dheu, dhe ndonëse i kishte sytë të hapur, nuk shihte asnjë; edhe duke e hequr atë prej dore, e prunë në Damask. Edhe tri ditë nuk shihte; edhe as hëngri, as piu.
Edhe ishte në Damask një nxënës që quhej Anania, edhe Zoti i tha në ëndërr: Anania. Edhe ai tha: Ja ku jam, Zot. Edhe Zoti i tha: Ngrihu e shko në rrugën që quhet e Drejtë, edhe kërko në shtëpinë e Judës një Tarsiot që quhet Saul; sepse ja tek po lutet, edhe ka parë në ëndërr një njeri që quhet Anania, se hyri dhe vuri dorën mbi të, që t’i vijnë sytë përsëri.
Atëherë Anania u përgjigj: Kam dëgjuar prej shumë vetash për këtë njeri, sa të këqija u bëri shenjtëve të tu në Jerusalem. Edhe këtu ka pushtet nga kryepriftërinjtë të lidhë të gjithë ata që thërresin në emrin tënd. Po Zoti i tha: Shko, se ky më është një enë e zgjedhur për të mbajtur emrin tim përpara kombeve e mbretërve, edhe bijve të Izraelit. Sepse unë do t’i tregoj atij sa duhet të pësojë për emrin tim.
Edhe Anania shkoi e hyri në shtëpi; edhe si vuri duart mbi të, tha: Saul vëlla, Zoti më ka dërguar, Jisui që t’u shfaq udhës, kur ishe duke ardhur, që të të hapen sytë përsëri, edhe të mbushesh me Frymë të Shenjtë. Edhe përnjëherë ranë nga sytë e tij diçka si luspa, edhe i erdhën sytë menjëherë; edhe u ngrit e u pagëzua.
Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë, edhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli, që të hajë ndonjë prej saj dhe të mos vdesë. Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli. Në ngrëntë njeri prej kësaj buke, do të rrojë për gjithë jetën. Edhe buka që do të jap unë, është mishi im, të cilin unë do ta jap për jetën e botës.
Judenjtë pra, haheshin njëri me tjetrin, duke thënë: Si mund të na japë ky të hamë mishin e tij?
Jisui pra u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos ngrënshi mishin e Birit të njeriut, edhe në mos pifshi gjakun e tij, s’keni jetë në veten tuaj. Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, edhe unë do ta ngjall në ditën e fundit.