Atë që ishte që në fillim, atë që kemi dëgjuar, atë që kemi parë me sytë tanë, atë që kemi vështruar, edhe duart tona e prekën, në lidhje me Fjalën e jetës, edhe jeta u shfaq, edhe e pamë, edhe dëshmojmë, edhe ju lajmërojmë për jetën e përjetshme, që ishte tek Ati, edhe u shfaq ndër ne; atë që kemi parë dhe kemi dëgjuar, për atë ju lajmërojmë, që të keni edhe ju pjesëmarrje me ne; edhe pjesëmarrja jonë është me Atin dhe me Birin e tij Jisu Krisht. Edhe këto jua shkruajmë juve, që të jetë i plotë gëzimi juaj.
Edhe ky është lajmi që kemi dëgjuar nga ai, edhe ju lajmërojmë ju, se Perëndia është dritë, edhe nuk ka asnjë errësirë tek ai. Në thënçim që kemi pjesëmarrje në të, edhe ecim në errësirë, gënjejmë, edhe nuk bëjmë të vërtetën. Por në ecshim në dritë, sikundër është ai në dritë, kemi pjesëmarrje me njëri-tjetrin, edhe gjaku i Jisu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.
Edhe pranë kryqit të Jisuit ishin duke ndenjur e ëma dhe e motra e së ëmës së tij, Maria e Klopait, edhe Maria Magdalena. Jisui pra kur pa të ëmën dhe nxënësin që donte duke ndenjur pranë, i thotë së ëmës: Grua, ja yt bir. Pastaj i thotë nxënësit: Ja jot ëmë. Edhe nxënësi që atëherë e mori në shtëpinë e tij.
Ky është ai nxënësi që dëshmon për këto dhe që shkroi këto; edhe e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
Janë edhe shumë të tjera sa bëri Jisui, të cilat në u shkrofshin një nga një, mendoj se as bota vetë nuk do t’i nxinte librat që kishin për t’u shkruar. Amin.