E martë, 9 maj 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 10:21-33.

Edhe Pjetri, pasi zbriti tek njerëzit që ishin dërguar tek ai nga Korneli, tha: Ja, unë jam ai që kërkoni; për ç’punë keni ardhur? Edhe ata thanë: Korneli, kryeqindësi, që është njeri i drejtë dhe ka frikë nga Perëndia, edhe për të cilin jep dëshmi të mirë gjithë kombi i Judenjve, u urdhërua me anë të një engjëlli të shenjtë, që të të thërresë në shtëpinë e tij, edhe të dëgjojë fjalë prej teje. Ai pra i thërriti ata brenda e i gostiti. Edhe të nesërmen doli Pjetri bashkë me ata, dhe ca nga vëllezërit që ishin nga Jopa erdhën bashkë me atë. Edhe të nesërmen hynë në Qesari. Dhe Korneli ishte duke i pritur ata, edhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e ngushtë. Edhe sapo hyri brenda Pjetri, Korneli i doli përpara, e i ra ndër këmbë, edhe iu fal. Po Pjetri e ngriti, duke thënë: Ngrihu, sepse edhe unë jam njeri. Edhe duke folur bashkë me të hyri brenda, edhe gjen mbledhur shumë veta. Edhe u tha atyre: Ju e dini se nuk është e lejueshme për një njeri Jude të shoqërojë a të shkojë tek njeri prej tjetër kombi. Po Perëndia më tregoi të mos them për asnjë njeri se është i ndyrë apo i papastër. Prandaj, sapo u thirra, edhe erdha pa bërë fjalë. Pyes pra, për ç’fjalë dërguat e më prutë? Edhe Korneli tha: Katër ditë më parë deri në këtë orë isha duke agjëruar, edhe në të nëntën orë po lutesha në shtëpinë time; edhe ja një njeri me rroba të ndritura tek qëndroi përpara meje, edhe thotë: Kornel, u dëgjua lutja jote dhe lëmoshat e tua u përmendën para Perëndisë. Dërgo pra në Jopë e thirr Simonin, që mbiquhet Pjetër. Ky ka rënë në shtëpinë e Simon lëkurëregjësit pranë detit. Ai, kur të vijë, do të të flasë. Përnjëherë pra e dërgova tek ti; dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani pra ne të gjithë jemi përpara Perëndisë, që të dëgjojmë gjithë ç’të janë urdhëruar prej Perëndisë.

UNGJILLI - Joani 7:1-13.

Edhe pas këtyre Jisui lëvizte nëpër Galile; sepse s’donte të lëvizte nëpër Jude, se judenjtë kërkonin ta vrisnin. Edhe ishte afër e kremtja e Judenjve, Tendëngritja. Vëllezërit pra i thanë: Ik së këtejmi, edhe shko në Jude, që të shohin edhe nxënësit e tu punët e tua që bën. Sepse asnjë s’bën gjë fshehurazi, ndërsa kërkon vetë të shfaqet hapur. Nëse bën këto, shfaq veten tënde në botë. Sepse as të vëllezërit e tij nuk i besonin. Jisui u thotë pra atyre: Nuk është ende koha ime, kurse koha juaj është përherë gati. Bota s’mund t’ju urrejë ju; por mua më urren, sepse unë dëshmoj për të se punët e saj janë të liga. Ju ngjituni në këtë të kremte; unë ende nuk ngjitem në këtë të kremte, sepse koha ime ende nuk është plotësuar. Edhe si u tha atyre këto, qëndroi në Galile. Edhe kur u ngjitën të vëllezërit, atëherë u ngjit edhe ai në të kremten, jo haptas, por fshehurazi. Judenjtë pra e kërkonin në të kremten, dhe thoshin: Ku është ai? Edhe kishte për atë shumë pëshpëritje në mes të turmës. Disa thoshin se është i mirë, e të tjerë thoshin: Jo, por gënjen turmën. Po askush nuk fliste sheshit për të, nga frika e judenjve.