Pas përjetimit të gëzimit ngjallësor të Pashkës, ne të rinjtë e Kishës Orthodhokse në Tiranë, me bekimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Imz.Anastasit, shoqëruar nga prifti përgjegjës i grupit rinor të Tiranës, Atë Grigori Pelushit, u nisëm në një pelegrinazh shpirtëror në kisha dhe manastire të Malit të Zi.
Minutat edhe orët e udhëtimit iknin shpejt nën shoqërinë e njëri tjetrit derisa në sfond u shfaq shkëlqimi i kishës së Shën Joan Vladimirit në Bari. Këtij shenjtori kaq të dashur për ne, që sjell pranë dy popujt, i kushtohet një kishë madhështore ku kombinohej arkitektura dhe ikonografia bashkëkohore.
Vijuam më pas drejt manastirit të Shën Nikollës në Prasviska, pa harruar të ndalojmë për të ruajtur disa kujtime në fotografi në peizazhin panoramik të Shën Stefanit. Në Manastirin e Shën Nikollës vihej re ikonostasi i punuar mjeshtërisht.
Ndalesa e radhës ishte manastiri i Podmainit.
Vazhduam pelegrinazhin duke ruajtur thellësisht kujtime nga çdo vend që vizituam edhe priftërinjtë e murgjit që me shumë thjeshtësi e dashamirësi na prisnin në manastirin e Shën Petros të Cetinjës. Përjetime të rralla do mbeten veçanërisht nga lipsanet e Shën Petros së Cetinjës dhe dorën e djathë të Shën Joan Pagëzorit. Një pjesëz e kryqit të Krishtit qëndronte përkrah lipsaneve për të na e bërë e njëherë më të prekshme e të gjallë të vërtetën e asaj që ne besojmë.
Historia e thurur bukur mes Relikeve, Enëve të Shenjta, Veshjeve Liturgjike edhe Ikonave të vjetra shfaqej më së miri në muzeun që vizituam. Aty koha kthehej pas e në detaje përcillej dashuria e historia orthodhokse ndër shekuj duke u bërë për ne të rinjtë një histori frymëzimi për të ardhmen, për dashurinë që ne duhet të kemi për Kishën, besnikërinë e guximin në besim, por edhe përulësinë edhe pastërtinë në mardhëniet tona të përditshme me njëri tjetrin. Dita përfundoi në qetësinë e manastirit të Shën Vasilit të Ostrogut ku patëm bekimin të nderonim e lipsanet e shenjtorit.
Ditën tjetër pasi morëm pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe të gjithë u bëmë bashkë në Kungatën e shenjtë kujtuam e njëherë që besimi ynë është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër në jetë. Një fotografi kujtim mbeti nga vizita në Katedralen Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Podgoricë, dhe qetësisht më pas vizituam manastirin “Shën Simeon Dajbabski” për ta mbyllur pelegrinazhin tonë. Lavdi Perëndisë për të gjitha dhe për mundësinë e përjetimeve të tilla!