E enjte, 11 maj 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 10:34-43.

Atëherë Pjetri hapi gojën e tha: Me të vërtetë po e marr vesh se Perëndia s’mban anë njeriu; po në çdo komb ai që ka frikë prej tij dhe punon drejtësi, është i mirëpritur tek ai. Fjalën që u dërgoi bijve të Izraelit duke ungjillëzuar paqe me anë të Jisu Krishtit, ky është Zoti i të gjithëve, këtë fjalë ju e dini, që u përhap nëpër gjithë Judenë, duke nisur nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Joani; si vajosi Perëndia Jisuin nga Nazareti me Frymë të Shenjtë e me fuqi, i cili përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar gjithë ata që mundoheshin prej djallit; sepse Perëndia ishte bashkë me të, edhe ne jemi dëshmitarë për gjithë ato që bëri edhe në dhe të Judenjve edhe në Jerusalem; të cilin e vranë duke e varur mbi dru; këtë Perëndia e ngjalli të tretën ditë, edhe e bëri atë të duket, jo në gjithë popullin, po në dëshmitarët e parazgjedhur prej Perëndisë, do me thënë tek ne që hëngrëm e pimë bashkë me të, pasi u ngjall prej së vdekurish; edhe na porositi ne të predikojmë në popull e të dëshmojmë se ai është ai që qe urdhëruar prej Perëndisë gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve. Për këtë dëshmojnë gjithë profetët, se me anë të emrit të tij do të marrë ndjesë mëkatesh kushdo që i beson atij.

UNGJILLI - Joani 8:12-20.

Jisui pra, përsëri u foli atyre, duke thënë, Unë jam drita e botës. Ai që më vjen pas, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës. Farisenjtë pra, i thanë: Ti dëshmon për veten tënde. Dëshmia jote nuk është e vërtetë. Jisui u përgjigj e u tha atyre: Edhe në dëshmofsha unë për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse e di nga erdha e ku shkoj; por ju s’e dini nga vij e ku shkoj. Ju gjykoni sipas mishit; unë nuk gjykoj asnjeri. Po edhe në gjykofsha unë, gjyqi im është i vërtetë; sepse nuk jam vetëm, por unë dhe Ati që më dërgoi. Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë. Unë jam ai që dëshmoj për veten time, edhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua. I thoshin pra: Ku është Ati yt? Jisui u përgjigj: As mua s’më njihni, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim. Këto fjalë i foli Jisui tek vendi i thesarit duke mësuar në tempull; edhe asnjë nuk e zuri, sepse ende s’i kishte ardhur ora.