E mërkurë, 10 maj 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 14:6-18.

Ata e morën vesh, dhe ikën në qytetet e Likaonisë, Listër e Dervë, edhe në vendet për rreth. Dhe atje predikonin Ungjillin. Edhe në Listër rrinte një njeri i dobët nga këmbët, sepse ishte i çalë që nga barku i së ëmës, i cili kurrë s’kishte ecur. Ky dëgjonte duke folur Pavlin, i cili, si hodhi sytë mbi të dhe pa se kishte besim për të shpëtuar, tha me zë të madh: Ngrihu drejt më këmbë. Edhe ai kërcente dhe ecte. Edhe turmat kur panë se ç’bëri Pavli, ngritën zërin e tyre, duke thënë Likaonisht: Perënditë u shembëllyen me njerëz e zbritën te ne. Edhe e quanin Varnavën Zeus, edhe Pavlin Hermes; sepse ky ishte folësi i parë. Atëherë prifti i Zeusit që ishte përpara qytetit të tyre pruri dema e kurora përpara dyerve, dhe bashkë me turmën donte të bënte flijime. Po apostujt Varnava dhe Pavli, kur dëgjuan, çorën rrobat e tyre e u hodhën në mes turmës, duke thirrur, e duke thënë: O burra, pse i bëni këto? Edhe ne jemi njerëz që pësojmë si edhe ju, dhe ju predikojmë të ktheheni nga këto kotësi në Perëndinë e gjallë, që bëri qiellin e dhenë dhe detin edhe gjithë ç’janë në to; i cili në brezat që shkuan la gjithë kombet të ecin në udhën e tyre; ndonëse nuk e la veten e tij pa dëshmi, duke bërë mirë e duke na dhënë neve nga qielli shira e kohëra frutdhënëse, e duke mbushur zemrat tona me ushqim e me gëzim. Edhe duke thënë këto, mezi ndaluan turmën që të mos u bëjnë atyre flijime.

UNGJILLI - Joani 7:14-30.

Edhe tani ndërsa ishte përgjysmë e kremtja, Jisui u ngjit në tempull, dhe i mësonte. Edhe Judenjtë çuditeshin, duke thënë: Si i di ky shkronjat pa mësuar? Jisui iu përgjigj atyre, e tha: Mësimi im nuk është imi, po i atij që më ka dërguar. Në do ndonjë të bëjë dëshirën e tij, do të njohë për mësimin në është nga Perëndia, apo në flas unë prej vetes sime. Ai që flet prej vetes së tij, kërkon lavdinë e tij; po ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar, ky është i vërtetë, edhe padrejtësi tek ai nuk ka. A nuk ju dha juve ligjin Moisiu? Edhe asnjë prej jush nuk e zbaton ligjin. Pse kërkoni të më vrisni? Turma u përgjigj e tha: Ke demon. Cili kërkon të të vrasë? Jisui u përgjigj e u tha atyre: Një punë bëra, edhe të gjithë çuditeni. Prandaj Moisiu ju ka dhënë juve rrethprerjen, jo se është nga Moisiu, por nga etërit, edhe të shtunën rrethprisni njeriun. Në qoftë se njeriu merr rrethprerje të shtunën, që të mos prishet ligji i Moisiut, me mua zemëroheni, sepse një njeri të tërë e shërova të shtunën? Mos gjykoni sipas pamjes, po gjykoni gjyqin e drejtë. Disa prej jerusalemasve thoshin, pra: A nuk është ky që kërkojnë ta vrasin? Por ja tek flet në sy, dhe s’i thonë asgjë. Mos vallë e njohën me të vërtetë të parët se ky është me të vërtet Krishti? Po këtë e dimë nga është, po kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë nga është. Jisui pra, thirri duke mësuar në tempull, edhe tha: Edhe mua më njihni, edhe nga jam e dini; edhe s’kam ardhur prej vetes sime, por është i vërtetë ai që më ka dërguar, të cilin ju nuk e njihni. Unë e njoh atë, sepse jam prej atij, edhe ai më dërgoi. Kërkonin pra ta zënë; po asnjë s’vuri dorën mbi të, sepse ende s’i kishte ardhur ora.