Edhe Varnava e Sauli, u kthyen nga Jerusalemi, pasi mbaruan shërbesën, duke marrë me vete Joanin që mbiquhej Mark.
Edhe në kishën që ishte në Antioki ishin disa profetë e mësues, Varnava dhe Simeoni që quhej Nigjer, dhe Luçi Kireneasi, edhe Manaini që ishte rritur bashkë me Irod tetrarkun, edhe Sauli. Edhe ndërsa ata ishin duke i shërbyer Zotit e duke agjëruar, Fryma e Shenjtë tha: M’i ndani veç Varnavën dhe Saulin për atë punë që i kam thirrur ata. Atëherë si agjëruan e u lutën dhe vunë duart mbi ta, i lëshuan.
Këta pra pasi u dërguan nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Selefki, edhe prej andej lundruan për në Qipro. Edhe kur erdhën në Salaminë, predikuan fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e Judenjve; dhe kishin edhe Joanin ndihmës. Edhe si kaluan ujdhesën deri në Pafë, gjetën njëfarë magjistari profet të rremë Judeas, që e kishte emrin Barjisu, i cili ishte bashkë me guvernatorin Sergj Pavli, një burrë i mençur. Ky thërriti Varnavën dhe Saulin, dhe kërkoi të dëgjojë fjalën e Perëndisë. Po Elimas magjistari, se kështu përkthehet emri i tij, i kundërshtonte ata dhe kërkonte ta kthejë guvernatorin nga besimi.
Po Sauli, që quhej edhe Pavël, u mbush me Frymë të Shenjtë, e si hodhi sytë mbi të, tha: O ti që je plot me çdo mashtrim e me çdo farë intrige, bir i djallit, armiku i çdo drejtësie, a nuk do të pushosh së prishuri udhët e drejta të Zotit? Edhe tani ja dora e Zotit tek është mbi ty; edhe do të mbetesh i verbër, e nuk do të shohësh diellin deri në një kohë. Edhe përnjëherë ra mbi të një mjegull e errësirë, edhe duke ardhur rrotull kërkonte njerëz që ta hiqnin prej dore. Atëherë kur pa guvernatori se ç’u bë, besoi, edhe çuditej për mësimin e Zotit.
Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në ruajtë ndonjë fjalën time, nuk do të shohë vdekje për gjithë jetën. Judenjtë pra, i thanë: Tani e morëm vesh se ke demon. Abrahami vdiq, edhe profetët vdiqën, edhe ti thua: Në ruajtë ndonjë fjalën time, nuk do të provojë vdekje për jetë. A mos je ti më i madh se ati ynë Abraham, i cili vdiq? Edhe profetët vdiqën. Ti cilin e bën veten tënde?
Jisui u përgjigj: Unë në lavdëroj veten time, lavdia ime s’është asgjë; Ati im është ai që më lavdëron, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj. Edhe s’e keni njohur, kurse unë e njoh; edhe në thënça se nuk e njoh, do të jem si ju, gënjeshtar; por e njoh dhe ruaj fjalën e tij. Abrahami, ati juaj, gëzohej që të shihte ditën time; edhe e pa e u gëzua.
Judenjtë pra i thanë: Pesëdhjetë vjet ende s’i ke, edhe Abrahamin e ke parë? Jisui u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë, po ju them juve: Para se të jetë Abrahami, unë jam.
Ngritën pra gurë që t’i hidhnin kundër tij; por Jisui u fsheh dhe doli nga tempulli, duke shkuar nëpërmes tyre; edhe kështu iku.