E mërkurë, 17 maj 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 13:13-24.

Edhe Pavli dhe ata që ishin rreth tij, pasi u ngritën me anije nga Pafa, erdhën në Pergë të Pamfilisë; edhe Joani u nda nga ata e u kthye në Jerusalem. Edhe ata pasi ikën nga Perga, erdhën në Antioki të Pisidisë, dhe si hynë në sinagogë ditën e shtunë, ndenjën. Edhe pas leximit të ligjit dhe të profetëve, të parët e sinagogës dërguan tek ata, duke thënë: O burra vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për t’ia mësuar popullit, thojeni. Atëherë Pavli si u ngrit e bëri shenjë me dorë, tha: O burra Izraelitë, dhe ju që keni frikë Perëndinë, pa dëgjoni. Perëndia i këtij populli, i Izraelit, zgjodhi etërit tanë, edhe ngriti popullin që rrinte i huaj në dhé të Egjiptit, e me krahë të lartë i nxori ata prej tij. Edhe deri në dyzet vjet duroi sjelljet e tyre në shkretëtirë. Edhe pasi prishi shtatë kombe në dhé të Kanaanit, u ndau atyre me short dheun e tyre. Edhe pastaj për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet u dha atyre gjykatës deri në kohën e profetit Samuil. Edhe pastaj kërkuan mbret, dhe Perëndia u dha atyre Saulin, të birin e Kisit, një burrë prej farës së Beniaminit, për dyzet vjet. Edhe si e hoqi atë, u ngriti atyre Davidin për mbret, për të cilin edhe dëshmoi, duke thënë: “Gjeta Davidin, të birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë dëshirat e mia”. Prej farës së këtij Perëndia sipas premtimit, i ngriti Izraelit shpëtimtar Jisuin, pasi Joani predikoi, para se të vinte ai, pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit.

UNGJILLI - Joani 6:5-14.

Jisui pra, kur ngriti sytë dhe pa se po vinte shumë popull tek ai, i thotë Filipit: Ku do të blejmë bukë, që të hanë këta? Edhe e thoshte këtë, që ta provonte; sepse ai e dinte se ç’do të bënte. Filipi iu përgjigj: Dyqind dinarë bukë nuk u dalin atyre, që të marrë nga pak gjithësecili nga ata. Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga nxënësit e tij, i thotë: Këtu është një djalë i vogël që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq. Po ç’janë këto për kaq vetë? Edhe Jisui tha: Thuajuni njerëzve të rrinë përdhe. Edhe kishte shumë bar në atë vend. Ndenjën pra burrat, rreth pesë mijë veta në numër. Edhe Jisui mori bukët, edhe si falënderoi, ua ndau nxënësve, edhe nxënësit atyre që kishin ndenjur përdhe; kështu edhe nga peshqit sa donin. Edhe si u ngopën, u thotë nxënësve të tij: Mblidhni copat që kanë tepruar, që të mos humbasë gjë. I mblodhën pra, edhe mbushën dymbëdhjetë kofinë me copa nga të pesë bukët prej elbi që u tepruan atyre që hëngrën. Njerëzit pra, kur panë çudinë që bëri Jisui, thoshin se me të vërtetë ky është profeti që ka për të ardhur në botë.