Po kur e qarkuan nxënësit, u ngrit e hyri në qytet, dhe të nesërmen doli bashkë me Barsabën në Dervë. Edhe pasi predikuan ungjillin në atë qytet dhe bënë mjaft nxënës, u kthyen në Listër e në Ikoni e në Antioki, duke forcuar shpirtrat e nxënësve, e duke i nxitur ata të qëndrojnë në besim, dhe duke u thënë atyre se me shumë shtrëngime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. Edhe si u hirotonisën atyre pleq në çdo kishë, dhe u falën me agjërime, i lanë te Zoti që i kishin besuar. Edhe si shkuan nëpër Pisidi, erdhën në Pamfili; edhe si folën fjalën në Pergë, zbritën në Atali. Edhe së andejmi lundruan për në Antioki, atje ku ishin dhënë në hirin e Perëndisë për punën që mbaruan.
Edhe si erdhën, mblodhën kishën, dhe u treguan atyre sa bëri Perëndia me anë të tyre, dhe se hapi në kombet derën e besimit. Edhe ndenjën atje shumë kohë bashkë me nxënësit. Dhe ca veta që zbritën nga Judea mësonin vëllezërit se: Në mos u rrethprefshi sipas zakonit të Moisiut, nuk mund të shpëtoni. Po pasi Pavli dhe Varnava u qëndruan kundër dhe u hëngrën me fjalë jo pak me ata, vendosën që Pavli e Varnava dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten tek apostujt dhe te pleqtë në Jerusalem për këtë çështje. Ata pra si u përcollën nga kisha, shkonin nëpër Finikë e nëpër Samari, duke treguar kthimin e kombeve; dhe u sillnin gëzim të madh gjithë vëllezërve. Edhe kur erdhën në Jerusalem, u pritën prej kishës e prej apostujve e prej pleqve, dhe njoftuan për gjithë sa bëri Perëndia me anë të tyre.
Pastaj Jisui tha: Unë për gjyq kam ardhur në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin, dhe të bëhen të verbër ata që shohin. Edhe sa prej Farisenjve ishin bashkë me të i dëgjuan këto, dhe i thanë: Mos jemi edhe ne të verbër? Jisui u tha atyre: Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat; por tani thoni se shohim; mëkati juaj pra mbetet. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që nuk hyn nga dera në oborrin e dhenve, po hipën që gjetkë, ai është vjedhës e kusar. Por ai që hyn nga dera, është bariu i dhenve.
Këtij i hap derën portieri; dhe dhentë dëgjojnë zërin e tij; dhe i thërret dhentë e tij me emër, dhe i nxjerr. Edhe kur nxjerr dhentë e tij, shkon përpara tyre; dhe dhentë i shkojnë prapa, sepse e njohin zërin e tij. Po të huajit nuk do t’i shkojnë prapa, por do të ikin prej tij; sepse nuk e njohin zërin e të huajve. Këtë paravoli u tha atyre Jisui, po ata nuk kuptuan ç’ishin këto që u fliste atyre.
Jisui pra u tha atyre përsëri: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se unë jam dera e dhenve. Gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; po dhentë nuk u dëgjuan atyre. Unë jam dera; në hyftë ndonjë me anën time, do të shpëtojë, dhe do të hyjë, dhe do të dalë, dhe do të gjejë kullotë.