E Diela e të Verbrit

E Diela e të Verbrit

Tri reagime të ndryshme ndaj një ngjarjeje të mrekullueshme

E Diela e të Verbrit
(Jn. 9:1-38)

“Ti ç’thua për atë?”

Ndodh një ngjarje e mrekullueshme. Një i verbër nga lindja, fiton shikimin përmes ndërhyrjes personale të Jisu Krishtit. Por, ndaj kësaj mrekullie, objektivisht të pamohueshme, jo të gjithë njerëzit reagojnë njësoj. Qëndrimi i gjithsecilit kushtëzohet nga predispozita e tyre e brendshme.
Paragjykim pasionant
Me gjithë formimin fetar dhe pozitën shoqërore, farisenjtë tregojnë paaftësi të frikshme për të parë dhe për të pranuar të vërtetën, nuk kanë kurrfarë objektiviteti në gjykimin e tyre. Pasioni ua zbeh fuqinë e gjykimit dhe kështu i çon në një sërë silogjizmash dhe argumentesh të çmendura. Në fillim përpiqen të mohojnë mrekullinë.
Por, meqë kjo është e pamundur, rreken që, të paktën, të shkatërrojnë përshtypjen e krijuar për shkak të asaj mrekullie dhe nxitojnë të shtrembërojnë realitetin. Dashurinë e Jisuit e konsiderojnë “punë”, pra shkelje të Ligjit. Pak para se të ndodhte kjo mrekulli, ata kishin marrë gurë për të goditur Jisuin, ndërsa tani E akuzojnë se gjoja ka shkelur pushimin e ditës së shtunë, meqë mori pak baltë dhe shëroi fatkeqin. Pastaj thërrasin prindërit e të verbrit, i pyesin dhe i ripyesin, duke shpresuar se do të arrijnë të nxjerrin ndonjë fjalë dhe të gjejnë arsye për të mbështetur mohimin e tyre. Por, ndërsa faktet janë të pakundërshtueshme para syve dhe rrëzojnë dëshirat e tyre, atëherë ata vënë maskën e fetarisë, marrin pamje serioze dhe këshillojnë të shëruarin: “Jepi lavdi Perëndisë. Ne e dimë se ky njeri është mëkatar”. Por, kur e shikojnë se i verbri nuk u bindet këshillave të tyre tinëzare, e heqin maskën e fetarisë dhe u kthehen fyerjeve. “E shanë”, shkruan ungjillori. Në fund, të turpëruar për pafuqinë e tyre për t’i imponuar tjetrit logjikën e tyre, nisin ta shajnë dhe arrijnë deri te dhuna. “Ti ke lindur i tëri në mëkate dhe ti na mëson. Dhe e nxorën jashtë”. Shtrembërim i ligjit të Perëndisë dhe i fakteve, terror, tallje, fyerje, persekutim dhe mani. Këto janë fazat vijuese të një taktike, që nxitet nga armiqësia dhe paragjykimi. Kur mungon pastërtia e zemrës, vihen në dyshim edhe fakte të dëshmuara prej mijëra vjetësh.
Fatkeqësisht, kjo taktikë nuk ka mbetur monopol vetëm i farisenjve. Duke ndryshuar maskë dhe duke shumëfishuar mënyrat e sulmit, paragjykimi pasionant vijon të godasë të vërtetën, të luftojë Krishtin dhe njerëzit e Tij. Shpeshherë, edhe në ditët tona, shikojmë shumë njerëz që kërkojnë të keqinterpretojnë edhe dëshirat e mira, madje edhe ato më të pastrat, të shpifin e të flasin keq edhe për veprat më fisnike. Disa nuk ngurrojnë aspak ta quajnë edhe heroizmin më fisnik si “etje për lavdi”, mençurinë e shikojnë si “mendjemadhësi”, aktivitetin shpirtëror “marrje me shumë gjëra njëkohësisht”, mirëkuptimin e dashamirësinë “diplomaci”, “dobësi” etj.
Ca të tjerë, kur shohin dikë të marrë pjesë në vepra dashurie dhe të hierapostullimit, marrin pamje urdhëruese dhe japin këshilla, si: “Mos u jep rëndësi këtyre gjërave. Dëgjona. E dimë ne. Këtu ka interesa, qëllime, shfrytëzim. “Ne i pamë” se të gjitha këto janë të pavërteta dhe të padobishme”.
Asnjanësi egoiste
Para kësaj armiqësie të të fuqishmëve dhe këmbënguljes së tyre për ta quajtur të bardhën të zezë dhe ditën natë, prindërit e të verbrit i zë frika. Nuk dëshirojnë të ngatërrohen me ta. Duke e kuptuar se janë në një mjedis armiqësor, përpiqen të shmangen. Dhe, për t’i bërë bisht situatës së vështirë, nuk pranojnë të shprehen për ngjarjen dhe t’i përgjigjen pyetjes se çfarë mendojnë ata për vërtetësinë e kësaj mrekullie. Më pas shmangen sërish, duke e hedhur diku tjetër përgjegjësinë. “Moshë ka, pyeteni”. Prindërit e ish-të verbrit duan qetësinë e tyre. As që e mendojnë se janë vetë ata që patën sjellë në botë një fëmijë fatkeq, i cili, me anë të ndërhyrjes së Jisuit, sapo ka nisur të shijojë bukurinë e jetës. Dhe e lënë vetëm të birin të përplaset me të pushtetshmit.
Edhe tani e në çdo kohë, pareshtur ka pasur e ka njerëz që imitojnë këtë sjellje të prindërve të të verbrit. Shumë të tjerë, sapo ndodhen në një mjedis të pafavorshëm, kërkojnë të sigurojnë të tjerët se janë asnjanës. “Ti do ta shpëtosh botën?”, këshillojnë veten e tyre. Dhe kur u kër- kohet të shprehin mendimin e tyre me përgjegjësi apo të japin dëshminë e tyre, ata bëjnë gjithçka për t’iu shmangur. “Çfarë do që ngatërrohesh? Çfarë do të dalë nga e gjithë kjo?”-e ngushëllojnë përsëri ndërgjegjen e tyre. Dhe kështu flijojnë para idhullit të gjoja asnjanësisë së tyre ndjenja farefisnie, miqësi, drejtësi e dinjitet. Me të vërtetë, një nga tragjeditë më të mëdha të jetës është fakti që edhe të afërmit apo miqtë më të ngushtë, të dorëzuar para frikës së kërcënimeve të drejtpërdrejta ose jo të pushtetarëve të çdo kohe, nuk pranojnë t’u qëndrojnë pranë atyre që dhunohen ose shtypen padrejtësisht.
Guximi i trimit
Në rrethana të tilla, guximi i heroit të perikopesë së sotme të Ungjillit na shfaqet edhe më madhështor. Edhe pse i mbetur fillikat, ai qëndron në këmbë përpara sjelljes armiqësore dhe mëkatare të farisenjve dhe përballet trimërisht me vogëlsinë e tyre, duke hedhur poshtë argu- mentet e tyre të përçartura, me përvojën dhe logjikën e tij.
Ai konstaton paragjykimin dhe mënyrën tinëzare, me të cilën sillen dhe veprojnë farisenjtë; nuk përkulet para tyre, por e thekson me forcë pikëpamjen e tij: “Ti ç’thua për atë, sepse të hapi sytë?”. “Edhe ai i tha se është profet”. Më pas, teksa vëren se rezistenca e mospranimit rritet edhe më tej dhe ndërsa shikon inatin e tyre të pazbutur, nuk e humbet gjakftohtësinë, por, duke pasur përvojë jete, e vë këtë përvojë në punë. “Në është mëkatar, nuk e di. Një gjë di, se qeshë i verbër dhe tani shoh.” Dhe në vazhdim të debatit, nga mbrojtja kalon në sulm. Pa inat dhe fjalë të tepërta, por me përgjigje të qëlluara dhe me vërejtje të sakta: “Kjo është me të vërtetë çudia, se ju s’e dini nga është dhe mua më hapi sytë… Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk mund të bënte asgjë”.
Reagimi i guximshëm i ish-të verbrit ndaj inatit të pushtetarëve është një pasqyrë e mrekullueshme, ku mund të këqyrim sjelljen tonë dhe të bëjmë edhe autokritikë të guximshme. Kur konstatojmë paragjykim në mjedisin tonë, a e kemi vallë kurajën për të thënë të vërtetën, për të shfaqur bindjet tona? Tregohemi gjakftohtë ose jo? A jemi të saktë dhe konkretë në fjalët që nxjerrim nga goja? Dhe, a ia dalim ta provojmë argumentin tonë? Kur duhet të flasim për Krishtin, a kemi një përvojë personale? Këtu gjendet çelësi. Nga siguria jonë shpirtërore do të marrë fuqi edhe guximi ynë.
Qëndrimi i guximshëm i ish-të verbrit nuk mbeti vetëm te shprehja e mirënjohjes për dhuratën që mori prej Krishtit, por u kthye në një shtysë të vërtetë për t’u njohur me Zotin. Duhen parë me kujdes shkallët që ngjiten, ndërsa zhvillohet përplasja e tij me farisenjtë. Herën e parë tha: “Një njeri që quhet Jisu…”. Më vonë pohon me forcë sigurinë e tij “se është profet”. Në fund, Jisui e takon dhe i bën pyetjen që hedh dritë mbi gjithçka: “Ti i beson Birit të Perëndisë?”. Dhe ish-i verbri, atëherë, arrin të shikojë jo vetëm dritën e përmbidheshme, por edhe dritën shpirtërore, duke i thënë Zotit: “Besoj, o Zot, dhe iu fal”. Kur shfaqim mirënjohjen tonë për dhuratat e Tij dhe burrëri, Zoti do të na afrohet përsëri, për të na e shfaqur më mirë fytyrën e Tij, për të na lartësuar në nivele të reja diturie dhe ekzistence.

† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)