E DIELA E TË VERBRIT
ISHI VERBRI, DËSHMUES GUXIMTAR I ZOTIT KRISHT DHE I SË VËRTETËS SË TIJ
“Ti ç’thua për atë, sepse të hapi sytë?
Edhe ai tha se është Profet”
(Joani 9:17)
Shumë mbresëlënëse është çudia që dëgjuam në Ungjillin e sotëm. Nuk është thjesht një mrekulli, nëpërmjet së cilës gjeti dritën e syve një njeri i verbër që prej lindjes. Është për më tepër një çudi, e cila shpalli një dëshmues të madh të Zotit Krisht dhe të së vërtetës së Tij.
***
Të lartpërmendurin, Zoti e takoi në një rrugë të Jerusalemit. Sigurisht, nuk ishte i rastësishëm ky takim. Asnjë gjë të rastësishme nuk ka në botë. Mirësia Hyjnore e kishte përgatitur që të shfaqet fuqia e Zotit Krisht dhe besimi i të verbrit. Nxënësit, sapo panë të verbrin, me një simpati të sinqertë dhe dhimbje, pyetën mësuesin e tyre: “Zot, cili mëkatoi kaq shumë, ky apo prindërit e tij, që të lindet i verbër ky njeri?” (v. 2) “As ai nuk mëkatoi, as prindërit e tij, por që të shfaqen tek ai punët e Perëndisë.” (v. 3), përgjigjet Shpëtimtari. U lind i verbër që, me anë të mrekullisë që do të bëhej, të shfaqej fuqia e madhe Hyjnore e Zotit. Dhe ja Shpëtimtari, pasi u tha gjithashtu nxënësve të Tij se, sa jeton në këtë botë duhet të bëjë punët e Atit të Tij, dhe se Ai është drita e botës, pështyn përdhe, “bën baltë”, lyen sytë e të verbrit dhe i thotë: “shko e lahu në sternën e Siloamit” (v. 7).
Kjo gjë, sigurisht, dukej e çuditshme. Lehtë do të mundej dikush të dyshonte. Por i verbri, sapo ndjeu se kush ia dha këtë urdhër, pa ngurrim nxitoi t’i bindej. “Shkoi, pra, dhe u la” (v. 7). Rezultati ishte i menjëhershëm dhe i çuditshëm. I verbri u kthye “duke parë”. Sa e habitshme, me të vërtetë! Një njeri që lindi dhe jetoi aq vite i verbër, tani, për një moment të vetëm, shërohet. I mbushur me admirim vëzhgon dheun, qiellin, njerëzit, gjithçka. Ngjarje më ngazëlluese se kjo nuk do të ishte e mundur të ekzistonte për të.
Por, për pabesinë e verbër, edhe mrekullitë më të mëdha janë si të mos ekzistojnë dhe, pabesia, të cilën e përfaqësojnë farisenjtë, tani lufton që ta mbysë besimin, që me aq guxim e dëshmon i verbri. Përleshja është dramatike. Farisenjtë e pabesë përpiqen, të dëshpëruar, që ta mohojnë dhe ta përgënjeshtrojnë mrekullinë. Ish – i verbri, me këmbëngulje dhe durim, por edhe me trimëri të vërtetë në shpirt, e vërteton dhe e shpall tek të gjithë dhe thekson fuqinë hyjnore të Shpëtimtarit. Ata kërkojnë, me sofizma dhe dinakëri, që ta paraqesin Zotin Krisht si shkelës të ligjit hyjnor dhe mëkatar. I verbri flet me urtësi të habitshme, që ta vërtetojë Krishtin profet dhe çudibërës.
Beteja fillon nga fqinjët e tij. Ata, të parët, i parashtrojnë pyetjen: “Si u shëruan sytë e tu?” (v. 10). Ai u përgjigjet me guxim, se Jisui e bëri mrekullinë; dhe u tregon hollësisht ngjarjen.
Atëherë ndërhyjnë farisenjtë dhe fillojnë hetimin, i bëjnë përsëri pyetjen: “Si t’u hapën sytë?” (v. 15). Dhe ai përsëri dëshmon bamirësinë dhe Bamirësin. Por farisenjtë këmbëngulin. Ky njeri nuk është nga Perëndia, thonë, kur nuk mban pushimin e së shtunës. Por mrekullia ishte aq e madhe dhe aq e dukshme, sa edhe midis tyre nuk mund të binin dakord. Disa prej tyre thoshin: “Si mundet një njeri mëkatar të bëjë mrekulli të tilla?” (v. 16). “Dhe kishte një përçarje në mes tyre” (v. 16). Kërkojnë dhe mendimin e ish-të verbrit, dhe ai u përgjigjet: “Unë mendoj se Jisui është profet” (v. 17).
A është e lehtë vallë që ta pranojë gabimin e vet pabesia? Meqenëse farisenjtë nuk mundën ta argumentonin se Zoti Krisht nuk e bëri mrekullinë, mohojnë se i shëruari ishte i verber. Ftojnë prindërit e tij dhe, me shumë dinakëri, u parashtrojnë pyetjen: “Ky është biri juaj, që thoni se është i verbër që prej lindjes? Si shikon tashmë?” (v. 19). Prindërit shikojnë maninë e farisenjve kundër Jisuit dhe nga frika përgjigjen: “Po, ky është biri ynë, dhe është e vërtetë se lindi i verbër. Por, se si shikon tani, apo kush ia hapi sytë nuk e njohim. Moshë ka, vetë ai t’ju përgjigjet”.
Pas dështimit të ri, farisenjtë thërrasin përsëri të verbrin, dhe me dhunë kërkojnë t’i japin zgjidhjen që dëshironin kësaj ngjarjeje, duke i thënë: “Lavdëro Perëndinë. Se jo Jisui, por Perëndia të dha dritën tënde. Ai është njeri mëkatar.” Por, i verbri nuk lëkundet. Me të njëjtin guxim u përgjigjet: “Unë një gjë di, se isha i verbër; dhe tani, me ndërhyrjen e Jisuit, shikoj” (v. 25).
Përsëri e hetojnë dhe përsëri e pyesin për të njëjtat gjëra që ta detyrojnë të mohojë mrekullinë. I verbri nuk përmbahet më. Fillon sulmin kundër tyre. Ç’më pyesni dhe përsëri më pyesni? Jua thashë. Nuk dëgjuat? Unë jam nxënës i Tij. Mos doni të bëheni edhe ju nxënës të Tij. Kurrë nuk u dëgjua një mrekulli e tillë. Jisui, nëse nuk ishte profet, do të ishte e pamundur të bënte një mrekulli të tillë. Të mbushur me urrejtje, farisenjtë tani e nxjerrin jashtë nga sinagoga e tyre.
Por i verbri nuk ndikohet nga këto. Kur më vonë e gjen Jisu Krishti, i thotë: “Ti beson tek i Biri i Perëndisë?” (v. 35). Ai e pyet: “Cili është, Zot, që ta besoj?” (v. 36). Dhe Krishti i përgjigjet: “Dhe e pe, dhe ai që po flet me ty, ai është” (v. 37). Në këtë shfaqje, ish – i verbri, i mbushur me besim dhe me mirënjohje, thërret: “Besoj, o Zot. Dhe iu fal” (v. 38). Dhe mbeti që atëherë modeli dhe shembulli i besimtarit, i luftëtarit të guximshëm, që di ta mbrojë dhe ta dëshmojë besimin e tij, por edhe të qortojë me guxim të pabesët.
***
Por, edhe çdo i krishterë që e do besimin e tij dhe digjet nga zelli për lavdinë e Krishtit, nuk mund të jetë i ndryshëm. Nuk mund të pranojë me apati fjalët e të pabesëve kundër Kryetarit të shpëtimit dhe kundër Ungjillit të shenjtë. Do të protestojë kundër gënjeshtrave dhe shtrembërimeve që thonë armiqtë e së vërtetës. Nuk do të druhet, përkundrazi, do të bëhet luftëtar, që të mbrojë besimin dhe të kontribuojë për përhapjen e së vërtetës dhe zgjerimin e Mbretërisë së Zotit Krisht. Shpesh gënjeshtra është aq e zhveshur, aq i dukshëm shtrembërimi i së vërtetës nga të pabesët dhe heretikët dhe aq shkatërruese përfundimet në të cilat shtyjnë shumë njerëz, e veçanërisht të rinjtë, saqë të konsiderohet krim heshtja e besimtarëve. Pasi e besojmë të vërtetën me gjithë shpirtin tonë, dhe ndjekim jetën e krishterë, pse të ngurrojmë të flasim? Për më tepër, në këto rrethana do të na ndriçojë Vetë Krishti dhe Ai do të na japë fjalë që t’u mbyllim gojën kundërshtarëve. A nuk u bë kjo edhe me ish-të verbrin?
***
Kështu, pra, çdo besimtar i sinqertë duhet të jetë dhe luftëtar i guximshëm i së vërtetës, që nuk do të trembet dhe nuk do të sprapset, por do të mbrojë me guxim bindjet e tij të krishtera. Një arsye që pabesia dhe gënjeshtra, shekujt e fundit, krijoi aq e aq viktima dhe vrau shumë shpirtra, ishte edhe qëndrimi pasiv i të krishterëve.
Ndërsa të tjerët punojnë për ta çrrënjosur besimin nga zemra e popullit, që të godasin Kishën, të krishterët mbeten indiferentë dhe u lënë hapësirë veprimi kundërshtarëve. Por, në të kundërt, vitet e fundit, të krishterët lëvizën dhe dolën haptazi, gra e burra, prindër e fëmijë, shkencëtarë e nëpunës, dhe dëshmuan besimin e tyre; shumë nga njerëzit e pabesë nxituan të heshtin dhe të fshihen, kur të tjerë u ndriçuan dhe u drejtuan në ushtrinë e lavdishme të Krishtit.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Përpara, pra, edhe ne me ata. Le të mbushim radhët e luftëtarëve të krishterë. Le të dëshirojmë të gjithë të bëhemi heronj mbrojtës të së vërtetës së krishterë. Kështu do të triumfojë besimi dhe fitorja e Krishtit do të jetë edhe fitorja jonë.
U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 01.06.2008