Edhe Agripa i tha Pavlit: Ke leje të flasësh për veten tënde. Atëherë Pavli, si shtriu dorën u mbrojt:
Edhe mbi këto e sipër, kur isha duke shkuar në Damask me pushtet e me porosi nga ana e kryepriftërinjve, në mes të ditës, rrugës pashë, o mbret, se prej qielli një dritë, që e kalonte ndriçimin e diellit, ndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin bashkë me mua. Edhe si ramë të gjithë përdhe, dëgjova një zë që më fliste mua e që thoshte në gjuhën hebraishte: Saul, Saul, pse më përndjek? Është keq për ty t’u biesh thumbave me shkelma. Edhe unë thashë: Cili je ti, o Zot? Edhe ai tha: Unë jam Jisui, të cilin ti po përndjek. Po ngrihu dhe qëndro në këmbët e tua; sepse për këtë u shfaqa te ti, që të vë ty shërbëtor dhe dëshmitar edhe të atyre që pe edhe të atyre me të cilat do të të shfaqem ty. Duke të zgjedhur ty nga populli e nga kombet, tek të cilët tani po të dërgoj, që të hapësh sytë e tyre, që të kthehen nga errësira në dritë, dhe nga pushteti i Satanait te Perëndia, që të marrin ndjesë mëkatesh, edhe trashëgim në mes të të shenjtëruarve me anë të besimit tek unë.
Prandaj, o mbret Agripa, nuk u bëra i pabindur në këtë vegim nga qielli, por u predikoja më parë atyre në Damask e në Jerusalem, edhe nëpër gjithë dheun e Judesë, edhe pastaj në kombet, të pendohen dhe të kthehen tek Perëndia, duke bërë punë të denja për pendim.
Edhe duke kaluar andej, pa një njeri të verbër që prej lindjes. Edhe nxënësit e tij e pyetën, duke thënë: Rabbi, cili mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që të lindë i verbër? Jisui u përgjigj: As ky mëkatoi, as prindërit e tij, po që të tregohen punët e Perëndisë tek ai. Unë duhet të bëj punët e atij që më dërgoi, deri sa është ditë; vjen nata, kur asnjë s’mund të punojë. Sa të jem në botë, jam drita e botës.
Pasi tha këto, pështyu përdhe dhe bëri baltë prej pështymës, edhe leu sytë e të verbërit me baltën. Edhe i tha atij: Shko e lahu në pellgun e Siloamit, që e përkthyer do me thënë i Dërguar. Shkoi pra e u la, edhe erdhi duke parë. Fqinjët pra, edhe ata që e kishin parë më përpara se ishte i verbër, thoshin: A nuk është ky ai që rrinte e lypte? Të tjerë thoshin se ky është; edhe të tjerë se i shëmbëllen. Ai u thoshte se unë jam. I thoshin, pra: Si t’u hapën sytë? Ai u përgjigj e tha: Një njeri që quhet Jisu bëri baltë dhe më leu sytë e më tha: Shko në pellgun e Siloamit dhe lahu. Edhe si shkova e u lava, hapa sytë. I thanë, pra: Ku është ai? Thotë: Nuk e di.
E sjellin te Farisenjtë atë që ishte njëherë i verbër. Edhe ishte e shtunë, kur bëri baltën Jisui dhe i hapi atij sytë. Përsëri pra e pyesnin edhe Farisenjtë se si pa përsëri. Edhe ai u tha atyre: Vuri baltë mbi sytë e mi, edhe u lava, edhe shoh. Disa, pra, prej Farisenjve thoshin: Ky njeri nuk është nga Perëndia, se nuk ruan të shtunën. Të tjerë thoshin: Si mund të bëjë të tilla çudira një njeri mëkatar? Edhe kishte një përçarje në mes tyre. I thonë përsëri të verbërit: Ti ç’thua për atë, se të hapi sytë? Edhe ai tha se është profet.
Judenjtë pra nuk besuan për atë se ishte i verbër dhe pa përsëri, deri sa thirrën prindërit e atij që iu hapën sytë. Edhe i pyetën duke thënë: Ky është biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Si sheh pra tani? Prindërit e atij iu përgjigjën atyre, e thanë: E dimë se ky është biri ynë, edhe se ka lindur i verbër. Po si sheh tani nuk e dimë; ose cili i hapi sytë, ne nuk e dimë; ai moshën e ka. Ai do të flasë për veten e tij.
Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga judenjtë; se judenjtë tani kishin lidhur fjalë, që ai që ta rrëfejë për Krisht të nxirret jashtë sinagogës. Prandaj prindërit e tij thanë se moshën e ka.
Thirrën pra për së dyti njeriun që kishte qenë i verbër, edhe i thanë: Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ky njeri është mëkatar. Ai pra u përgjigj e tha: Në është mëkatar, nuk e di; një gjë di, se qeshë i verbër, edhe tani shoh. Edhe i thanë përsëri: Ç’të bëri? Si t’i hapi sytë? Iu përgjigj atyre: Tashmë jua thashë juve, edhe nuk dëgjuat; ç’doni përsëri të dëgjoni? Mos edhe ju doni të bëheni nxënës të tij?
E shanë pra, dhe thanë: Ti je nxënës i atij, po ne jemi nxënës të Moisiut. Ne dimë se Perëndia i foli Moisiut, po këtë nuk e dimë nga është. Njeriu u përgjigj e u tha atyre: Në këtë është me të vërtetë çudia, se ju s’e dini nga është, edhe mua më hapi sytë. Edhe e dimë se Perëndia nuk dëgjon mëkatarë; po në pastë ndonjë frikë Perëndie dhe të bëjë dëshirën e tij, këtë e dëgjon. Që prej fillimit të jetës nuk është dëgjuar se hapi njeri sytë e ndonjërit që ka lindur i verbër. Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë. U përgjigjën e i thanë: Ti ke lindur i tëri në mëkate, edhe ti na mëson? Edhe e nxorën jashtë.
Jisui dëgjoi se e nxorën jashtë; edhe si e gjeti, i tha: Ti i beson Birit të Perëndisë? Ai u përgjigj e tha: Po cili është ai, o Zot, që t’i besoj? Edhe Jisui i tha: Edhe e ke parë, dhe ai që flet me ty, ai është. Edhe ai tha: Besoj, o Zot, dhe iu fal.