Edhe ata e kapën dhe e çuan në Areopag, duke thënë: A mund të marrim vesh, ç’është ky mësim i ri që flitet prej teje? Sepse ti na sjell ca gjëra të çuditshme në veshët tanë. Duam pra të marrim vesh, ç’do të jenë këto. Sepse gjithë Athinasit dhe të huajt që rrinin atje nuk kishin nge për ndonjë tjetër gjë, veç të thonë e të dëgjojnë ndonjë fjalë më të re.
Atëherë Pavli qëndroi në mes të Areopagut, e tha: O burra Athinas, shikoj se mbi të gjitha jeni tepër besimtarë. Sepse, duke shkuar e duke vënë re vendet e adhurimit tuaj, gjeta edhe një altar, mbi të cilin është shkruar: Perëndisë së Panjohur. Atë pra që nuk e njihni dhe e adhuroni, këtë po ju tregoj unë juve. Perëndia që bëri botën dhe gjithë sa janë në të, ky, duke qenë Zot i qiellit e i dheut, nuk rri në tempuj të bërë me dorë, as nuk shërbehet nga duar njerëzish, si të ketë nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë dhe shpirt dhe gjithçka. Edhe bëri prej një gjaku çdo komb njerëzish, që të banojnë mbi gjithë faqen e dheut, edhe paracaktoi rendin e kohëve dhe kufijtë e vendbanimit të tyre; që të kërkojnë Zotin, se mos ndoshta e takojnë dhe e gjejnë, ndonëse ai s’është larg prej secilitdo prej nesh; sepse me anë të tij rrojmë, dhe lëvizim, dhe jemi, sikurse edhe disa nga poetët tuaj kanë thënë: “Sepse edhe jemi farë e tij”.
Farisenjtë pra, i thanë njëri-tjetrit: E shihni se nuk keni dobi fare? Ja bota tek shkoi pas atij.
Edhe prej atyre që ngjiteshin për t’u falur në të kremten ishin edhe disa grekë. Këta pra, erdhën te Filipi nga Betsaida e Galilesë, edhe i luteshin, duke thënë: Zot, duam të shohim Jisuin. Filipi vjen e i thotë Andreas; dhe përsëri Andrea e Filipi i thonë Jisuit.
Edhe Jisui iu përgjigj atyre, duke thënë: Erdhi ora që të lavdërohet Biri i njeriut. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos rëntë kokrra e grurit në dhe e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë prodhim. Ai që do jetën e tij do ta humbasë; po ai që urren jetën e tij në këtë botë, do ta ruajë për jetë të përjetshme. Në më shërben ndonjë, le të më vijë pas; edhe ku të jem unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im; edhe në qoftë se më shërben ndonjë, Ati do ta nderojë. Tani shpirti im është i trazuar; edhe ç’të them? Atë, shpëtomë nga kjo orë. Po prandaj erdha në këtë orë. Atë, lavdëro emrin tënd.
Erdhi pra një zë nga qielli: Edhe e lavdërova dhe përsëri do ta lavdëroj. Turma pra, që qëndronte dhe dëgjoi zërin, thoshte se u bë bubullimë; të tjerë thoshin, se engjëll i foli atij.
Jisui u përgjigj e tha: Ky zë nuk u bë për mua, po për ju. Tani është gjyqi i kësaj bote; tani prijësi i kësaj bote do të hidhet jashtë. Edhe unë, në u ngritsha lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë drejt vetes sime. Edhe këtë e thoshte duke treguar me çfarë vdekjeje kishte për të vdekur.
Turma u përgjigj: Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; edhe si thua ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Cili është ky Biri i njeriut? Jisui pra, u tha atyre: Edhe pak kohë është drita bashkë me ju. Ecni deri sa keni dritën, që të mos ju zërë errësira; sepse ai që ecën në errësirë, nuk di se ku shkon. Deri sa keni dritën, t’i besoni dritës, që të bëheni bij të dritës. Këto foli Jisui, edhe iku e u fsheh prej tyre.