E enjte, 25 maj 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 1:1-12.

Tregimin e parë, o Theofil, e bëra për gjithë sa nisi Jisui edhe të bëjë edhe të mësojë, deri në atë ditë që u mor lart në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime me anë të Frymës së Shenjtë apostujve që pati zgjedhur; tek të cilët edhe e tregoi veten e tij të gjallë me shumë shenja pas pësimit të tij, duke iu shfaqur atyre dyzet ditë, e duke folur për punët e mbretërisë së Perëndisë. Edhe duke ndenjur bashkë me ata i porositi të mos largohen nga Jerusalemi, por të presin premtimin e Atit “që e dëgjuat, u tha, prej meje. Sepse Joani pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymë të Shenjtë jo pas shumë ditësh”. Ata pra, kur u mblodhën bashkë me të, e pyesnin duke thënë: Zot, vallë, në këtë kohë do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit? Edhe ai u tha atyre: Nuk është për ju të njihni kohët a motet, që Ati i ka vënë në pushtetin e vet. Por do të merrni fuqi, kur të vijë Fryma e Shenjtë mbi ju; edhe do të më jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem edhe në gjithë Judenë edhe në Samari edhe deri në fund të dheut. Edhe si tha këto, ndërsa ata po shihnin u ngrit lart, dhe një re e mori nga sytë e tyre. Edhe ndërsa ata ishin duke vështruar në qiell, kur po shkonte ai, ja dy burra me rrobë të bardhë tek qëndruan pranë tyre, të cilët edhe u thanë: O burra Galileas, pse rrini e vështroni në qiell? Ky, Jisui që u mor prej jush lart në qiell, do të vijë kështu, siç e patë atë duke shkuar në qiell. Atëherë u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullishtes, i cili është afër Jerusalemit, dhe mban larg sa një rrugë të shtune.

UNGJILLI - Llukai 24:36-53.

Edhe ndërsa ata po flisnin këto, vetë Jisui qëndroi në mes tyre, dhe u thotë: Paqe mbi ju. Po ata u trembën e u frikësuan, sepse u dukej se po shihnin ndonjë frymë. Edhe ai u tha: Përse jeni të trazuar? Dhe përse ngrihen mendime në zemrat tuaja? Shihni duart e mia dhe këmbët e mia, se jam unë vetë; prekmëni dhe shihni; se fryma s’ka mish e eshtra, siç më shihni mua të kem. Edhe si tha këtë, u tregoi duart dhe këmbët. Po ndërsa ata nuk besonin ende nga gëzimi dhe çuditeshin, u tha atyre: A keni gjë për të ngrënë këtu? Edhe ata i dhanë një copë peshk të pjekur dhe hoje mjalti. Edhe ai mori e hëngri përpara tyre. Pastaj u tha atyre: Këto janë fjalët, që ju fola juve, kur ende isha bashkë me ju, se duhet të përmbushen gjithë ato që janë shkruar në ligjin e Moisiut dhe në profetët dhe në Psalmet për mua. Atëherë u hapi mendjen atyre, që të kuptonin shkrimet. Edhe u tha atyre se kështu është shkruar, dhe kështu duhej të pësonte Krishti, edhe të ngjallej prej së vdekurish të tretën ditë, edhe të predikohej në emrin e tij pendim dhe ndjesë mëkatesh në gjithë kombet, duke nisur nga Jerusalemi. Dhe ju jeni dëshmitarë për këto. Edhe ja unë tek po dërgoj premtimin e Atit tim mbi ju; dhe ju rrini në qytetin e Jerusalemit, deri sa të visheni me fuqi prej së larti. Pastaj i nxori jashtë deri në Betani; dhe ngriti duart e tij e i bekoi. Edhe duke i bekuar ata ai u nda prej tyre, edhe u ngjit në qiell. Edhe ata si iu falën atij, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh. Edhe ishin gjithnjë në tempull, duke himnuar e duke bekuar Perëndinë. Amin.