E DIELA E ETËRVE

E DIELA E ETËRVE

E DIELA E ETËRVE
(Joani 17:1-13)
ETËRIT E SHENJTË DHE KISHA
“Lecitja e Apostujve dhe doktrinat e Etërve i forcuan Kishës besën e njëshme; e cila, duke veshur këmishën e së vërtetës të endur prej teologjisë së sipërme, shpjegon drejtësisht dhe lavdëron misterin e madh të shpresëtarisë.”
(Shkurtorja e së kremtes)
Kisha jonë nderon dhe lavdëron sot treqind e tetëmbëdhjetë Etërit e shenjtë hyjmbajtës që formuan Sinodin e Parë Ekumenik në Nikea të Vithinisë. Lavdëron me të drejtë ata që u përpoqën të themelojnë një teologji të shëndetshme. Nëse kemi detyrim dhe detyrë të nderojmë dhe të lavdërojmë heronjtë tanë kombëtarë, që me përpjekjet e tyre na dhuruan lirinë kombëtare, njësoj, ndoshta dhe më shumë, kemi detyrë të shenjtë të nderojmë heronjtë e Kishës sonë, që na dhuruan lirinë shpirtërore dhe na çliruan nga errësira e gënjeshtrës dhe mashtrimit.
***
Njerëzimi, për shekuj, gjendej në padije për sa i përket Perëndisë së vërtetë; njerëzit u kthyen në adhurimin e idhujve, të cilët ishin të padobishëm dhe të kotë. Zoti, përgjatë veprimtarisë së Tij trevjeçare kur predikonte dhe bënte mrekulli, kishte gjithmonë me vete nxënësit dhe apostujt e Tij. Ata, kur u ftuan nga Jisui, “duke i lënë të gjitha”, e ndoqën Atë dhe e shoqëruan qytet më qytet e fshat më fshat. Iu dha kështu rasti të dëgjonin të gjithë mësimdhënien e Tij, që predikoi kudo ku shkoi dhe kudo ku qëndroi. Madje, shumë herë foli në veçanti, në grup të ngushtë, tema themelore, që të njohin në mënyrë të kulluar dhe të saktë vullnetin e Perë- ndisë për të gjitha çështjet. I bëri të denjë që, pas Pentikostisë, të shkojnë dhe të predikojnë të vërtetën “në të gjitha kombet”. Zoti u tha Apostujve të Tij, pas Ngjalljes së Tij; “shkoni predi- koni në të gjithë kombet… duke u mësuar atyre të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Matth. 28:19-20). Kuptim të dyfishtë kishte vargu i predikimit të Kishës, mësimet e Ungjillit, domethënë të mësojnë njerëzit përmbajtjen e Ungjillit dhe të zbatojnë në jetën e tyre porositë e Zotit. “Stafetën” e veprimtarisë e morën më vonë Etërit apostolikë dhe nga ata radhët e njëpasnjëshme të pasardhësve të tyre.
***
Një mësues i hershëm i Kishës dhe atë apostolik, shën Ignati, episkopi i Antiokisë, na këshillon të ruajmë të pastër fjalën e Perëndisë nga errësira e mashtrimit, me të cilën djalli përpiqet të na njollosë shpirtrat tanë që t’i drejtojë në humbje. Ja çfarë shkruan: “Mashtrimet, që i ushqen egoizmi, endin idetë e tyre, duke i mpleksur me Jisu Krishtin. I ofrojnë, kështu, si helm vdekjeprurës të përzier me verë të ëmbël, në mënyrë që, ata që e marrin ta pinë me kënaqësi dhe të vdesin. Të ruheni, pra, nga këta. Ju këtë të keni, përulësi dhe bashkim me Perëndinë Jisu Krisht, të lidhur fort pas episkopit dhe mësimeve të apostujve. Ai që gjendet brenda në Kishë, është i pastër. Ai që qëndron jashtë Kishës, nuk është i pastër. Me fjalë të tjera: kush jeton i shkëputur nga episkopi, priftërinjtë dhe populli i krishterë, nuk është i pastër në ndërgjegje. Për ju i shkruaj këto, që t’ju mbroj. Parashikoj, vëllezër të dashur, kurthet që po shkon t’ju ngrejë djalli. Shmangni, pra, parazitët e këqij, që lindin vdekjen”. Këto shkruan shën Ignat Hyjmbajtësi. Ky është mesazhi i Etërve të shenjtë të Sinodit të Parë Ekumenik, kujtimin e të cilit nderon sot Kisha jonë. Këto na këshillojnë Etërit, ata që ruajtën fjalën e Perëndisë të paprishur nga herezitë dhe e rrethuan me murin e pacenueshëm të dogmave të tyre.
***
Këshilla të njëjta jep edhe apostull Pavli në leximin e Apostullit të sotëm, për priftërinjtë në Militë të Azisë së vogël, duke thënë: Të kenë shumë kujdes në udhëheqjen baritore të Kishës së Perëndisë, sepse këtë Kishë e themeloi Perëndia dhe e forcoi me gjakun e Tij. Nuk është e vogël kjo ngjarje, dhe as e vogël dhe e parëndësishme përgjegjësia e barinjve të Kishës. Barinjtë e Kishës nuk janë rrogëtarë, nuk janë nëpunës, por veprojnë në hapësirën e Kishës, jo si sundues, si sovranë, por si shërbëtorë të Zotit “të së drejtës së shenjtë”. Shërbimi priftë- ror nuk duhet të ketë si qëllim nderimet dhe përfitimet materiale, por që barinjtë të punojnë me përgjegjësi për shpëtimin shpirtëror të të krishterëve. Jisu Krishti predikoi se “nuk erdha që të më shërbejnë, por që të shërbej”. Pra, klerikët i shërbejnë, në emër të Jisu Krishtit, popullit të Perëndisë dhe shqetësohen për përparimin e të krishterëve. Ashtu siç bujku kujdeset për arën e tij, ashtu edhe bariu i mirë i Kishës duhet të kujdeset dhe të shqetësohet për sigurimin e bashkësisë dhe për përparimin shpirtëror të kishës vendase që i besoi Zoti. Barinjtë duhet të vigjilojnë, të kujdesen për mësimin e drejtë, për organizimin e veprës së tyre baritore, pa harruar planet e hollësishme bashkëkohore, dhe, mbi të gjitha, që të japin shembull të ndritshëm nëpërmjet fjalëve dhe veprave.
***
Etërit e Kishës që festojmë sot ishin hyjmbajtës; kishin pranuar sinqerisht hirin e Perëndisë dhe i ishin dorëzuar Atij pa hezitim. Pra, personaliteti i tyre hirplotë dhe i shenjtë, shprehu të vërtetën që ngushëllon, që ndriçon, që plotëson dëshirat më të thella të shpirtit njerëzor. Prandaj, si shpallës të së vërtetës, janë gjithmonë bashkëkohorë dhe mund të japin përgjigje për problemet që shqetësojnë çdo epokë, sepse, kryesisht, e vërteta dhe shpirti njerëzor janë gjithmonë të njëjtë. Ndikimi në brezat që kaluan ishte kolosal, prandaj edhe sot, që arritëm në kaosin shpirtëror, dëgjohet nga shumë njerëz dhe nga shumë vende: “kthehu tek Etërit”.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Çdo besimtar dhe, veçanërisht, çdo klerik ftohet të frymëzohet dhe të mësojë nga shembulli i Etërve të Kishës. Në personin e tyre të gjithë ne duhet të shohim shembullin me të cilin, me Hirin e Perëndisë, duhet të pajtohemi. Etërit e Kishës janë dëshmuesit e besimit të vërtetë dhe garantuesit e Traditës. Duhet, pra, të përvetësojmë mendimin dhe urtësinë e Etërve. Fjalët dhe jeta e Etërve qarkullojnë sot në shumë libra. Le t’i lexojmë e t’i mësojmë dhe të ndjekim gjurmët e tyre. Na ftojnë me të kremten e tyre të sotme. U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 31.05.2009