Drejt “Jetës së përjetshme”
E Diela e Etërve të Shenjtë
(Jn. 17:1:13)
“Kjo është jeta e përjetshme…”
Zakonisht, kur dëgjojmë të flitet për “jetën e përjetshme”, shumë prej nesh mendojmë se kjo nis pas vdekjes. Por, në realitet, “jeta e përjetshme” fillon në këtë jetë. Vërtet nis nga një vdekje, por nga vdekja e Krishtit dhe nga Ngjallja e Tij. Dhe marrim pjesë në këtë, kur bashkëkryqëzohemi dhe bashkëngjallemi me Krishtin, kur jetojmë në Atë. Tashmë ne gjendemi në zonën e “jetës së përjetshme”. Jeta e mistereve të Kishës e garanton këtë udhëtim, që fillon me pagëzimin. Çdo Kungim Hyjnor është pjesëmarrje në “jetën e përjetshme”.
Mposhtja e pushtetit të vdekjes
Shumë herë, teksa jetojmë brenda presionit të jetës së përditshme, këto të vërteta të mëdha zbehen dhe ndërsa mendojmë se si e keqja na tërheq për poshtë, pyesim veten:
A është e mundur që të gjendemi në jetën e përjetshme që prej pagëzimit tonë? A ka filluar edhe për ne kjo jetë?
Një shembull i thjeshtë nga teknologjia moderne do të na ndihmonte disi të hidhnim dritë mbi këtë pikë. Do të përsëris një mendim, që e kam shprehur edhe në raste të tjera: Nga sa lexojmë për raketat, e dimë se veçoria e tyre kryesore është se në fund ato mposhtin forcën e gravitetit të Tokës. Ndërsa ende ndodhen brenda atmosferës, e kanë mposhtur këtë forcë, edhe pse rëndesa ushtron fuqinë e saj mbi to, për t’i tërhequr poshtë. Të dyja këto forca bashkëveprojnë njëkohësisht. Raketa lëviz brenda zonës së rëndesës së tokës, por tashmë e ka tejkaluar atë dhe çdo çast që pason, do të thotë se e ka mposhtur fuqinë e saj. Duke përdorur krahasime të ngjashme, – gjithmonë të papërsosura dhe të kufizuara, – dikush mund të thotë se diçka e ngjashme ndodh edhe në jetën e të krishterëve besimtarë. Tashmë jeni në një lëvizje drejt “jetës së përjetshme”. Fuqia e rëndesës së pasioneve dhe e dobësive të mishit mund të na tërheqë ende për poshtë dhe të ndiejmë përplasjen e ashpër që zhvillohet brenda nesh, por tanimë kemi filluar të lartësohemi. E kemi mposhtur fuqinë e rëndesës së vdekjes me hirin dhe fuqinë e Krishtit. “Jeta e përjetshme” i takon atij që jeton më Krishtin.
Prandaj Jisui, në lutjen e Tij kryepriftërore, tha shumë qartë: “Kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin të vërtetin Perëndi dhe Jisu Krishtin që dërgove”. Kjo do të thotë se “jeta e përjetshme” qëndron pikërisht në këtë njohje, në këtë përvojë të vërtetë dhe esenciale të Perëndisë së vërtetë dhe të Jisu Krishtit, Shpëtimtarit, të cilin e dërgoi Ai.
Një njohje e një cilësie tjetër
“Njohja” së cilës i referohet Krishti nuk nënkupton ide abstrakte, fjalë që mësojmë përmendësh dhe i deklamojmë shpesh mekanikisht. Është një lloj tjetër “njohjeje”, e një cilësie tjetër. Apostull Pavli, i cili e përjetoi këtë përvojë të thellë, si shumë pak të tjerë, na thotë me fuqi të madhe: “që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij, dhe pjesëmarrjen e pësimeve të tij, duke u bërë në një formë me vdekjen e tij” (Fil. 3:10). E thënë thjesht, njohja e Perëndisë së shenjtë nuk është dije intelektuale, njohuri që u takon të diturve, por një dije që përftohet nga përjetimi, kur “bëhemi një formë me vdekjen e tij”, kur pranojmë sakrificën e Tij, kur njësohemi në formë me vullnetin e Tij, kur i përgjigjemi dashurisë së Tij. Është njohje e një njeriu dhe dije që buron nga një fuqi: nga Personi i Jisu Krishtit dhe fuqia e Ngjalljes. Kjo është pjesëmarrje në shoqëri dashurie me Perëndinë e dashurisë. Këtë njohuri nuk e fitojmë dot dhe nuk i përqasemi me asgjë tjetër, përveçse me anë të pjesëmarrjes sonë esenciale, biomatike, në misteret e Kishës. Sepse e dimë se as mendja jonë, as dituria jonë nuk janë në gjendje të na e ofrojnë, por na e siguron vetëm hiri i Perëndisë, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, brenda përjetimit të Eukaristisë Hyjnore. Dhe, në të njëjtën kohë, brenda përpjekjes shpirtërore të pandërprerë brenda shoqërisë, që është njëformësimi me vdekjen e Krishtit dhe përjetimi i fuqisë së Ngjalljes.
Jo vetëm kohëzgjatje, por edhe intensitet e plotësi
Zakonisht, kur flitet për “jetë të përjetshme”, mendja jonë vërtitet kryesisht rreth konceptit të kohës, në diçka që zgjat pafundësisht. Sigurisht dhe kjo është brenda kuptimit të saj, por ekziston edhe një dimension që duhet ta shikojmë me kujdes: është plotësia, intensiteti i “jetës së përjetshme”. Është një jetë me një bukuri dhe madhështi të paimagjinueshme.
Siç e dimë, ekzistojnë shumë forma jete. Lulet e ndryshme kanë jetë. Ekziston edhe jeta e kafshëve. Më lart gjendet jeta logjike e njeriut. Me gjithë bukurinë, lulet nuk dyshojnë për pafundësinë e frymës. Është një tjetër lloj niveli jete te secila nga këto kategori. Në fund fare, ekziston jeta e dashurisë, e shoqërisë, e pjesëmarrjes në jetën e Trinisë së Shenjtë, tek e cila na bëjnë të hyjmë ngjarjet e mishërimit të Fjalës, të Kryqit, të Ngjalljes, të Pentikostisë. Kjo është një tjetër lloj jete, është “e përjetshme” në kohëzgjatje, në horizonte, në intensitet, dhe në përsosmërinë e saj. Pa përjetimin e njohjes së Perëndisë, jeta njerëzore mbetet e papërsosur; ajo qëndron vetëm pak më lart se jeta e bimëve dhe kafshëve.
Mbartës të jetës së përjetshme
Shpesh duhet të meditojmë rreth këtyre pikëpamjeve për “jetën e përjetshme”, në të cilën Kisha na udhëheq me anë të mistereve, që të kemi një vështrim më të qartë të kuptimit të veprës, të cilën e kryejmë duke marrë pjesë në përpjekje misionare. Kjo jetë është e paracaktuar për mbarë botën. Përpjekja jonë nuk është të përhapim vetëm disa ideale të krishtera. Është diçka pakrahasimisht më e thellë, më dinamike dhe më e madhe. Jemi mbartës të “jetës së përjetshme”. Teksa marrim pjesë në këtë jetë, nuk kemi të drejtë ta ruajmë ekskluzivisht për veten tonë. Duhet ta ofrojmë edhe te njerëzit tanë të afërm, që dëshi- rojnë cilësinë dhe plotësinë e jetës. Duke transfuzuar tek të tjerët përjetimin e krishterë, në thelb jemi duke u përpjekur që kjo cilësi jete të kultivohet brenda shoqërisë sonë, e cila shpesh asfiksohet nga gazrat e dëmshëm dhe nga mjerimi i pështjellimit modern.
***
Këto mendime rreth “jetës së përjetshme”- që mbillen këtu si farë, për të marrë të gjithë bukurinë dhe lulëzimin e tyre në “të fundmet”, nuk nënkuptojnë ikje nga përditshmëria, nga problemet dhe vështirësitë, që realiteti tokësor ruan për gjithsecilin nga ne. Zoti, i Cili e dha përcaktimin për “jetën e përjetshme”, nuk e luti Atin të largojë nxënësit e Tij nga bota, por “t’i ruajë në emrin e tij” dhe t’i fuqizojë brenda kësaj lugine të dhimbjes, të lotëve dhe të padrejtësisë, “që ta kenë gëzimin tim të plotë në veten e tyre”.
Brenda kushteve nga më të larmishmet shoqërore dhe personale, në të gjitha aspektet, Etërit e shenjtë arritën ta përvetësojnë këtë sintezë kaq të mrekullueshme që nderojmë sot dhe, për këtë arsye, ata mbeten gjithnjë udhërrëfyes të vlefshëm dhe frymëzuesit tanë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)