E shtunë, 27 maj 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 20:7-12.

Edhe ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur nxënësit për të thyer bukën, Pavli kuvendonte me ta, sepse kishte për të ikur të nesërmen; edhe e zgjati fjalën deri në mes të natës. Edhe në dhomën e sipërme ku ishin mbledhur, ishin mjaft qirinj të ndezur. Edhe një djalosh që quhej Eutik, duke ndenjur mbi dritare, e mori një gjumë i rëndë, tek po kuvendonte Pavli gjerë e gjatë, edhe si e zuri gjumi, ra poshtë prej katit të tretë, edhe e ngritën të vdekur. Edhe Pavli, si zbriti, ra mbi të, edhe si e pushtoi, tha: Mos u shqetësoni, sepse shpirti i tij është tek ai. Edhe si u ngjit dhe theu bukë e hëngri, edhe foli mjaft deri në të zbardhëlluar, pastaj shkoi. Edhe e prunë djalin të gjallë, edhe u ngushëlluan tepër fort.

UNGJILLI - Joani 14:10-21.

Nuk beson se unë jam tek Ati dhe Ati është tek unë? Fjalët që ju flas unë, nuk i flas nga vetja; po Ati që rri në mua, ai i bën punët. Besomëni se unë jam tek Ati, edhe Ati tek unë; në mos, besomëni për këto punë. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që më beson mua, do të bëjë edhe ai punët që bëj unë, edhe do të bëjë edhe më të mëdha se këto; sepse unë shkoj tek Ati im. Edhe ç’të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që të lavdërohet Ati në Birin. Nëse kërkoni gjë në emrin tim, unë do ta bëj. Në më doni, ruani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit, dhe do t’ju japë juve një tjetër Ngushëllimtar, që të mbetet bashkë me ju për jetë, Frymën e së vërtetës, të cilin bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh, as nuk e njeh; ndërsa ju e njihni, sepse mbetet pranë jush, edhe do të jetë ndër ju. Nuk do t’ju lë jetimë; do të vij tek ju. Edhe pak, dhe bota nuk më sheh më; po ju më shihni; sepse unë rroj, edhe ju do të rroni. Në atë ditë ju do ta njihni, se unë jam në Atin tim, edhe ju në mua, dhe unë në ju. Ai që ka urdhërimet e mia dhe i ruan, ky është ai që më do; edhe ai që më do, do të duhet prej Atit tim; edhe unë, do ta dua, edhe do të tregoj veten time tek ai.