E diel, 28 maj 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 20:16-18, 28-36.

Sepse Pavli e kishte parë të udhës të lundrojë anash Efesit, që të mos e humbte kohën në Azi; sepse nxitonte, në ishte e mundur për të, ditën e Pendikostisë të gjendet në Jerusalem. Edhe prej Militës dërgoi në Efes e thirri pleqtë e kishës. Edhe kur këta erdhën tek ai, u tha atyre: Ju e dini që ditën e parë që shkela në Azi se si e shkova gjithë kohën bashkë me ju. Kini pra kujdes për veten tuaj dhe për gjithë tufën, mbi të cilën Fryma e Shenjtë ju vuri ju kujdestarë, që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën e fitoi me gjakun e tij. Sepse unë e di këtë, se pas ikjes sime kanë për të hyrë tek ju ujqër të këqij, të cilët s’kanë për ta kursyer tufën. Edhe prej jush vetë do të ngrihen njerëz duke folur gjëra të shtrembëra, që të tërheqin nxënësit pas vetes së tyre. Prandaj rrini zgjuar e sillni ndër mend se tre vjet natë e ditë s’pushova duke këshilluar me lot gjithësecilin. Edhe tani, o vëllezër, ju lë juve në Perëndinë, edhe në fjalën e hirit të tij, i cili mund t’ju ndërtojë e t’ju japë juve trashëgim në mes të gjithë të shenjtëruarve. Argjend ose ar ose rrobë të askujt nuk dëshirova. Edhe ju vetë e dini se këto duart e mia kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua. Me çdo mënyrë ju tregova juve se kështu duke u munduar duhet t’u ndihmoni të pafuqishmëve, edhe të kujtoni fjalët e Zotit Jisu, se ai vetë tha: “Lumturi më e madhe është të japë njeriu se të marrë”. Edhe si tha këto, u ul në gjunjë e u fal bashkë me ata të gjithë.

UNGJILLI - Joani 17:1-13.

Këto foli Jisui; pastaj ngriti sytë e tij në qiell e tha: Atë, erdhi ora, lavdëro Birin tënd, që të të lavdërojë edhe yt Bir, siç i dhe pushtet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme gjithë atyre që ia ke dhënë. Dhe kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin Perëndi të vërtetë; edhe Jisu Krishtin që dërgove. Unë të lavdërova mbi dhe, punën që më dhe të bëj e mbarova. Edhe tani lavdëromë ti, o Atë, pranë teje, me lavdinë që pata pranë teje para se të ishte bota. Emrin tënd ua zbulova njerëzve që më dhe prej botës. Të tutë ishin e m’i dhe, dhe fjalën tënde e ruajtën. Tani e njohën se gjithë sa më ke dhënë janë prej teje. Sepse fjalët që më dhe, ua dhashë atyre; edhe ata i morën dhe e njohën me të vërtetë se prej teje dola; edhe besuan se ti më dërgove. Unë lutem për ata; nuk lutem për botën, po për ata që më dhe, sepse janë të tutë. Edhe gjithë të miat janë të tuat, edhe të tuat janë të miat; edhe u lavdërova në to. Edhe nuk jam më në botë, po këta janë në botë, edhe unë po vij tek ti. Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd ata që më dhe, që të jenë një si ne. Kur isha bashkë me ata në botë, unë i ruaja në emrin tënd; ata që më dhe i ruajta, edhe asnjë nga ata s’humbi, veç i biri i humbjes, që të përmbushet Shkrimi. Edhe tani po vij tek ti, edhe i flas këto në botë, që ta kenë gëzimin tim të plotë në veten e tyre.