E Diela e Pentikostisë

E Diela e Pentikostisë

Etje dhe Shpirt
E Diela e Pentikostisë
(Jn. 7:37-52; 8:12)
“Kush ka etje, le të vijë tek unë dhe le të pijë”
E kremtja e Tendave, që zgjaste shtatë ditë dhe u kujtonte judenjve shtegtimet e tyre për dyzet vjet në shkretëtirë, po vjen drejt fundit. Në një pikë të ceremonialit të së kremtes, priftërinjtë të veshur me të bardha e gjithë ceremoni ofronin në tempull një shtambë të artë të mbushur me ujë nga pusi i Siloamit. Kjo ceremoni përkujtonte mrekullinë e shpëtimit të Izraelit në shkretëtirë, kur burime të kristalta uji vërshuan nga shkëmbi dhe populli shoi etjen. Pas kësaj, pelegrinët do të kthehen në punët e tyre të përditshme.
Por, Krishti e di mirë se sa e lodhshme është kjo rrugë, që njerëzit do të ndërmarrin paskëtaj, për t’u kthyer në shkretëtirën e jetës së tyre. Ai e di se sa shumë mundohet shpirti njerëzor, përditë, nga një tjetër etje, nga etja shpirtërore. Për këtë arsye, “ditën e fundit të së kremtes, Jisui u ngrit dhe tha me zë të lartë: Ai që ka etje, le të vijë tek unë dhe le të pijë”. Zoti thirri me gjithë fuqinë e Tij, për të mposhtur zhurmën e turmës së asaj dite, por edhe të çdo dite tjetër, që të dëgjohej pastër mbi zërat e tjerë. Madje edhe mbi zërat e njerëzve të kohës sonë.
Edhe gjoksin tonë e djeg një etje
metafizike, shpirtërore, madje edhe pa ndërgjegjësimin tonë për të. Kemi etje për drejtësi, dashuri, sinqeritet, paqe; kemi etje për jetë, për një ekzistencë të një tjetër cilësie. Këtë etje përpiqemi ta shuajmë me teori apo zbavitje të ndryshme. Shpesh me një gjueti të shfrenuar për pará, famë, fuqi. Por zemra jonë mbetet e pakënaqur, e thatë. “Keni etje për dashuri”,- na thotë Krishti. – Dëshironi fort të dashuroni, pa hipokrizi dhe vërtetësisht? Ejani pranë Meje. Mos qëndroni në teori abstrakte rreth “altruizmit” dhe në “duhet” pa shpirt. Mësoni të doni “siç ju desha unë ju”, të gjithë, pa mashtrim, me vepra. Dhe do t’ju duan edhe ju me të vërtetë”.
Keni etje për liri të vërtetë? Dëshironi të bëni diçka thelbësore? Lloj-lloj udhëheqësish dhe intelektualësh, kohë pa kohë, thurin himne elokuente për lirinë dhe njëherazi farkëtojnë pranga për popujt dhe shpirtrat e njerëzve. “Nëse Biri ju liron, atëherë do të jeni të lirë me të vërtetë”. Vetëm kur Biri i Perëndisë së Dashurisë do t’ju çlirojë nga pasionet që ju mbysin, do të jeni me të vërtetë të lirë. Ai që ka etje për një jetë të thellë dhe domethënëse, “le të vijë tek unë dhe le të pijë”.
Uji nuk ta heq etjen thjesht duke e parë me sy, por kur ta njom gojën dhe mbërrin në stomak. Le të mos kufizohemi, pra, vetëm duke njomur paksa buzët e shijuar vetëm disa pika të fjalës së Jisuit në mendjen tonë. Njësoj si uji që depërton deri në qelizën e fundit, për të na na gjallëruar, kështu edhe Fjala Hyjnore duhet të depërtojë, me anë të Shpirtit të Shenjtë, deri në skajin më të largët të mendimeve, të ndjenjave dhe qenies sonë. Nuk mjafton që dikush të shkojë vonë dhe me raste në Liturgjinë Hyjnore, të lexojë diçka të krishterë apo të thotë ndonjë lutje në momente të vështira të jetës. Njeriu nuk e shuan etjen me një pikë ujë apo me gjysmë gote uji, kur zhegu ka përvëluar tërë tokën. Duhet të studiosh përditë Ungjillin, të lutesh më shpesh e sipas ritmit të Kishës, të marrësh pjesë më shpesh në jetën adhuruese dhe të Mistereve të saj.
Kjo nuk do të thotë se kështu shuajmë vetëm etjen tonë personale. Krishti shton menjëherë se kush beson në misionin e Tij hyjnor, jo vetëm që do të shuajë etjen e vet, por do të bëhet edhe ai
burim i ujit të gjallë për të tjerët.
“Nga thellësia e shpirtit të atij që beson tek Unë”, siç tha Shkrimi, “do të burojnë lumenj uji të gjallë”. Ai që shoi etjen me anë të Krishtit, nuk kufizohet te vetja. Ai kthehet në bekim, ujë të gjallë edhe për mjedisin që e rrethon. Ndërsa ndërvepron brenda shoqërisë, ai çlodh, freskon e gjallëron të tjerët. Për personin që ka shuar etjen te Krishti, çdo njeri tjetër është pakrahasimisht më i vyer, jeta merr vlerë unikale dhe Perëndia për të është absolutisht shumë i afërt, i gjallë dhe aktiv.
Kështu, në Krishtin, jeta personale jo vetëm pasurohet, por bëhet burim dhuratash të vazhdueshme për shumë të tjerë. Edhe Ungjillor Joani sqaron se Zoti i tha këto fjalë duke nënkuptuar Shpirtin e Shenjtë, të cilin do ta marrin të Tijtë gjatë ditës së Pentikostisë.
Veprim i vazhdueshëm i Shpirtit të Shenjtë
Shpirti i Shenjtë, sigurisht, ka qenë gjithmonë, por njerëzit e shijuan tërësisht plotësinë e fuqisë dhe veprimit të Tij pas Pentikostisë brenda në Kishë, “që është trupi i atij”, i të kryqëzuarit dhe i të ngjallurit, “që i plotëson të gjitha në të gjithë” (Efes. 1:23).

Pas Pentikostisë, Shpirti i Shenjtë themelon Kishën dhe me veprimin e vazhdueshëm të Tij brenda saj, mijëra miriada njerëzish, “e bëjnë të tyre”, pra e personalizojnë brenda tyre veprën shpëtimtare të Krishtit; që më pas të vihen në shërbim të të tjerëve me vetëmohim dhe gëzim. Kështu, brenda zemrës së tyre buron ujë shpirtëror ngazëllues dhe jetëbërës mirësie e shprese. Me veprimin e “Ngushëllimtarit”, ata bëhen ngushëllim dhe mbështetje për njerëzit.
Veçanërisht brenda komunitetit adhurues të Kishës, me kryerjen e mistereve, që aktivizojnë praninë shpëtimtare të Shpirtit të Shenjtë, tashmë e njohim Krishtin jo thjesht si Mësues, Mik dhe shembull jete, por si Shpëtimtar, Zot dhe Perëndia ynë. Trupi dhe mishi i Tij hyjnë në qenien tonë të brendshme, e transformojnë, e lartësojnë, e bëjnë “kungues” të jetës mistike të dashurisë së Trinisë së Shenjtë. Kështu, qenia njerëzore rrezaton brenda shoqërisë së njerëzve paqe, dashuri dhe dritë shpirtërore.
***
Prej ditës së Pentikostisë, me formimin e Kishës, e cila vazhdon dhe gjallërohet nga Shpirti i Shenjtë, “uji i gjallë” i jetës së krishterë u derdh mbi mbarë botën. Nga ajo kohë, Ai vadit vende, popuj, duke shuar etjen e tokës sonë për të vërtetën, dashurinë, jetën dhe “jetë të përjetshme”. E kemi në dispozicionin tonë. Kisha jonë na e ofron me plotësi. Por, ndërsa na djeg etja shpirtërore, nuk afrohemi me dëshirën që do të duhej të kishim në këtë rast. Krishti vazhdon të na ftojë: “Kush ka etje, le të vijë tek unë dhe le të pije”.
Është tragjike të kesh pranë burime ujore të freskëta e gurgulluese dhe të thahesh e të zhuritesh nga etja.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)