E DIELA E PENTIKOSTISË
“Kush ka etje, le të vijë tek unë e le të pijë.”
(Joani 17:37)
Kuptimi i së kremtes
Festa e tendëngritjes, në të cilën na shpie Ungjilli i së dielës së sotme, ishte një nga tri të kremtet e mëdha hebraike. Në këtë të kremte hebrenjtë ftoheshin të kujtonin të gjitha ngjarjet e mëdha dhe të çuditshme, të cilat Perëndia i bëri për hir të tyre gjatë dyzet vjetëve në shkretëtirë. Tetë ditë zgjaste kjo festë. Gjatë ditës së fundit, që ishte më e rëndësishmja, priftërinjtë merrnin ujë nga burimi i Siloamit dhe e çonin në hierore me kortezh të madh dhe hebrenjtë rendnin të merrnin nga ky ujë për bekimin dhe gjallërimin e tyre shpirtëror.
Etja për të vërtetën
Në këtë ditë, pra, dhe panair, Zoti qëndroi në një vend të Tempullit të Solomonit dhe thirri drejt turmës: “Kush ka etje, le të vijë tek unë e le të pijë”. Sigurisht, nuk nënkuptonte etjen që ndien trupi, por etjen e shpirtit. Sepse, në thellësitë e shpirtit ekziston gjithmonë etja për të vërtetën; që ndriçon dhe çliron nga çdo besëtytni; të vërtetën që dhuron prehjen e shpirtit, qetësinë e ndërgjegjes, gëzimin e jetës; të vërtetën që e bën njeriun të urtë, të shenjtë, qytetar të lavdishëm të Mbretërisë Qiellore.
Krishti, burimi i së vërtetës dhe jetës
E vërteta është realisht uji i gjallë, që shuan etjen e shpirtit. Shumë kërkojnë ta shuajnë etjen në shpirtin e tyre me urtësinë e gënjeshtërt të njerëzve; të tjerë me dëfrime dhe kënaqësi që ofron jeta tokësore. Por as në “të urtët” ekziston e vërteta, as në kënaqësitë mëkatare gëzimi i jetës, prandaj, sa vrapojnë te këto, gjejnë jo kënaqësi, por dëshpërim, hidhërim dhe shtrëngim të madh. E vërteta gjendet te Zoti Krisht. Krishti është e vërteta dhe jeta; burimi i së vërtetës dhe jetës. Ai e jep Shpirtin e Shenjtë, i cili shenjtëron, ndriçon dhe ngazëllon shpirtrat. Prandaj dhe Zoti shpall: “Ai që më beson mua, siç tha Shkrimi, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga barku i tij” (v. 38).
Argumentet e ngjarjeve të habitshme
Këtë thoshte, pra, Ungjillori “për Shpirtin e Shenjtë, që kishin për të marrë ata që do t’i besonin” (v. 39); si një argument për ngjarjet e habitshme ditën e Pentikostisë. Analfabetë, me cene dhe me dobësi ishin edhe apostujt, por, sapo u mbushën me Shpirtin e Shenjtë, u treguan më të shenjtë se njerëzit, të urtë më Perëndinë dhe mësues të gjithurtë të mbarë botës. Nga goja e tyre derdheshin lumenj urtësie e diturie hyjnore; lumenj paqeje, gëzimi dhe ngazëllimi. Tani e dy mijë vjet, të gjithë ata që kanë etje për të vërtetën, në predikimin e apostujve gjetën “ujin e gjallë” dhe shuan etjen e shpirtit.
Tjetër burim i së vërtetës, i pasur dhe i pastër, nuk ekziston, përveç Zotit Krisht. Mos rend, pra, o njeri, në urtësinë e gënjeshtërt të botës dhe mos e kërko lumturinë në dëfrimet mëkatare të jetës, sepse këto, jo vetëm që nuk e shuajnë etjen e shpirtit, por në fund e mjerojnë njeriun. Ai që do të na japë “ujin e gjallë”, domethënë të vërtetën dhe jetën, është vetëm Zoti Krisht. Është vetëm Ngushëllimtari, Shpirti i së vërtetës, që e jep Krishti “tek ata që e besojnë”.
II
I ftoi, pra, Zoti turmat pranë Tij, për t’u shuar etjen e shpirtrave. Fjala e Tij, “kush ka etje, le të vijë tek unë e le të pije”, bëri përshtypje të madhe tek turmat e njerëzve. Kush tjetër guxoi të fliste në këtë mënyrë? Dhe me këtë përshtypje shumë thoshin: “Ky është me të vërtetë profeti” (v. 40). Disa, madje, nuk ngurruan të thonë: “Ky është Krishti” (v. 41). Por nuk munguan edhe dyshuesit, këta, ngaqë e dinin se Zoti ishte rritur në Nazaret të Galilesë, pa ditur se lindi në Vithlehem të Judesë, filluan të kundërshtonin. Jo, thoshin, Krishti do të vijë nga Judea dhe jo nga Galilea. Dhe Judenjtë u ndanë në dy grupe. Disa, nga kundërshtarët deshën ta kapnin Zotin. “Por asnjë s’vuri duart mbi të” (v. 44). Ndërkohë kryepriftërinjtë dhe farisenjtë i pyesnin: “Pse nuk e prutë këtë? “Shërbëtorët u përgjigjën: Kurrë s’ka folur njeri kështu, si ky njeri!” (v. 46). Përshtypje hyjnore u bëri shërbëtorëve mënyra me të cilën fliste Zoti Krisht. Prandaj dhe nuk guxuan ta kapin.
Konflikti midis besimtarëve dhe jobesimtarëve
Do të priste vallë dikush të pendohen farisenjtë dhe të mësohen nga shembulli i shërbëtorëve?! Por kur egoizmi e zotëron shpirtin, njeriu bie nga njëri paralogjizëm në tjetrin. Kështu tani farisenjtë, të mbushur me urrejtje, u thonë shërbëtorëve: Mos jeni mashtruar edhe ju? Kush nga prijësit besoi tek Ai? Këto pretenduan farisenjtë, që të bindin shërbëtorët. Por nuk ishte e vertetë, se askush nga prijësit nuk kishte besuar. Shumë kishin njohur në personin e Zotit Krisht, Mesinë e botës. Dhe ja një nga ata, Nikodhimi, i cili një natë kishte vizituar Zotin Krisht dhe kishte biseduar me Té. Ai tani merr guximin ta mbrojë Zotin Krisht. Është e rregullt, i pyet, të dënojmë një njeri pa mbrojtur veten e tij, pa mësuar se çfarë bën? A e lejon ligji këtë? Të mbushur me inat, i përgjigjen: Mos je edhe ti nga Galilea? “Vëzhgo e shih, se profet nga Galilea nuk është ngritur” (v. 52).
Ftesa e re
Në mbledhjen e gjykatës së lartë zhvillohej ky konflikt midis besimtarëve dhe të pabesëve, ndërsa Jisui, në kopshtet e Tempullit, vazhdonte: “Unë jam drita e botës; ai që më vjen pas, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Jn. 8, 12). Një ftesë e re ishte kjo për të pabesët, që të besojnë se Zoti Krisht është drita e botës dhe Shpëtimtari i njerëzimit. Por egoizmi e errëson mendjen dhe nuk e lejon njeriun të shohë të vërtetën. Kështu Farisenjtë nuk mbetën thjesht të papenduar, por u bënë edhe armiq të besimit dhe luftues të së vërtetës.
Dhe sot, gjithë sa qëndrojnë larg Krishtit dhe luftojnë të vërtetën e krishterë, e bëjnë për shkak të egoizmit të tyre. Egoizmi ka perëndi veten e tij dhe nuk toleron perëndi tjetër, as Perëndinë e vërtetë. Mendon se i di të gjitha dhe nuk pranon ta mësojë njeri tjetër dhe ta këshillojë. Prandaj i përbuz të gjithë, i konsideron më të ulët se vetja e tij dhe nuk pranon as atë, të vërtetën e krishterë, të cilën na e zbuloi Vetë Perëndia. Egoizmi, pra, është pasion i tmerrshëm dhe shkatërrues, për këtë është e nevojshme të çlirohemi nga çdo tendencë egoiste.
***
Dhe pikërisht, vëllezërit e mi të dashur më Krishtin, sot ditën e kremtimit të Pentikostisë, le të kërkojmë hirin e Shpirtit të Shenjtë dhe le t’i lutemi Ngushëllimtarit të na i çlirojë shpirtrat nga sëmundja e frikshme e egoizmit. Nëse do të çlirohemi nga egoizmi, jo vetëm që do të mirëmbajmë dhe do të forcojmë besimin tonë, por dhe do të tregohemi predikues të këtij besimi, si misionarë të hirshëm të Zotit.
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 15.06.2008