E shtunë, 3 qershor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 1 Thesalonikasve 4:13-17.

Edhe nuk dua që ju të mos dini, o vëllezër, për ata që kanë fjetur, që të mos ju vijë keq, si edhe të tjerëve që s’kanë shpresë. Sepse nëse besojmë që Jisui vdiq dhe u ngjall, kështu edhe Perëndia ata që kanë fjetur me anë të Jisuit do t’i sjellë bashkë me atë. Sepse këtë jua themi juve me fjalë të Zotit, se ne të gjallët që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit nuk do t’ua arrijmë atyre që kanë fjetur; sepse Zoti vetë do të zbresë nga qielli me urdhër, me zë kryeengjëlli, edhe me trumbetë Perëndie, edhe të vdekurit në Krishtin do të ngjallen më përpara; pastaj ne të gjallët që do të kemi mbetur do të rrëmbehemi bashkë me ata në retë, për të takuar Zotin në ajër; edhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.

UNGJILLI - Joani 21:14-25.

Tashmë kjo është e treta herë që iu tregua Jisui nxënësve të tij, pasi u ngjall prej së vdekurish. Pasi hëngrën pra, Jisui i thotë Simon Pjetrit: Simon i Jonait, a më do më tepër se këta? I thotë: Po, Zot, ti e di se të dua. I thotë atij: Kullot shqerrat e mia. I thotë prapë për së dyti: Simon i Jonait, a më do? I thotë: Po, Zot, ti e di se të dua. I thotë: Ruaj dhentë e mia. I thotë për së treti: Simon, bir i Jonait, a më do? Pjetrit i erdhi keq që i tha për së treti: A më do. Dhe i tha: Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua. Jisui i thotë: Kullot dhentë e mia. Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: Kur ishe më i ri, ngjishje veten tënde, edhe ecje ku të doje; po kur të plakesh, do të shtrish duart e tua, edhe dikush tjetër do të të ngjeshë ty, edhe do të të shpjerë aty ku të mos duash. Edhe tha këtë, duke treguar me çfarë vdekjeje kishte për të lavdëruar Perëndinë. Edhe si tha këtë, i thotë: Eja pas meje. Edhe Pjetri u kthye, edhe sheh nxënësin që donte Jisui duke ardhur prapa, i cili në darkë i pati rënë mbi kraharor, e i tha: Zot, cili është ai që të tradhton? Pjetri pra kur pa këtë, i thotë Jisuit: Zot, po ky çfarë do të bëhet? Jisui i thotë: Nëse dua të mbesë ai deri sa të vij unë, ti çfarë ke? Ti eja pas meje. Doli pra kjo fjalë ndër vëllezërit se ai nxënësi nuk vdes. Po Jisui nuk i tha se nuk vdes; por: Nëse dua të mbesë ai derisa të vij unë, ti çfarë ke? Ky është ai nxënësi që dëshmon për këto dhe që shkroi këto; edhe e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë. Janë edhe shumë të tjera sa bëri Jisui, të cilat në u shkrofshin një nga një, mendoj se as bota vetë nuk do t’i nxinte librat që kishin për t’u shkruar. Amin.