E diel, 4 qershor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 2:1-11.

Edhe kur erdhi dita e Pentikostisë, ishin të gjithë me një zemër, në të njëjtin vend. Edhe papritur u bë një oshëtimë nga qielli si e një ere që fryn me fuqi, edhe mbushi gjithë shtëpinë ku ishin duke ndenjur. Edhe u dukën mbi ta gjuhëra posi prej zjarri që ndaheshin, edhe ndenjën mbi gjithsecilin prej tyre. Edhe u mbushën të gjithë me Frymë të Shenjtë, e zunë të flisnin me gjuhë të tjera, sikundër Fryma u jepte të flisnin. Edhe po rrinin në Jerusalem Judenj, burra me frikë Perëndie prej çdo kombi nën qiell. Edhe kur u bë ky zë, u mblodh turma dhe u turbullua; sepse gjithësecili i dëgjonte ata duke folur në gjuhën e tij. Edhe të gjithë habiteshin e çuditeshin, duke i thënë njëri-tjetrit: Ja, a nuk janë Galileas të gjithë këta që flasin? Edhe si gjithësecili nga ne dëgjojmë në gjuhën tonë, në të cilën kemi lindur? Partë e medë e elamitë, edhe ata që rrinë në Mesopotami e në Jude e në Kapadoki, në Pont e në Azi, në Frigji e në Pamfili, në Egjipt e në anët e Libisë pranë Kirenës, edhe të ardhurit nga Roma, judenj e prozelitë, kretas e arabë, i dëgjojmë ata duke folur në gjuhët tona madhëritë e Perëndisë.

UNGJILLI - Joani 7:37-52, 8:12.

Edhe ditën e fundit, ditën e madhe të së kremtes, Jisui qëndroi e thirri, duke thënë: Kush të ketë etje, le të vijë tek unë e le të pijë. Ai që më beson mua, siç tha Shkrimi, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga barku i tij. Edhe këtë e tha për Frymën që kishin për të marrë ata që do t’i besonin; sepse ende s’ishte dhënë Fryma e Shenjtë; sepse Jisui ende s’ishte lavdëruar. Shumë pra, prej turmës kur dëgjuan këtë fjalë, thoshin: Ky është me të vërtetë profeti. Të tjerë thoshin: Ky është Krishti. Të tjerë thoshin: Mos vjen Krishti nga Galilea? A nuk tha Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit dhe nga fshati Betlehem, nga ku ishte Davidi? U bë pra një përçarje në turmë për të. Edhe disa prej tyre donin ta kapnin; po asnjë s’vuri duart mbi të. Erdhën pra shërbëtorët te kryepriftërinjtë e te Farisenjtë, edhe ata u thanë atyre: Pse nuk e prutë? Shërbëtorët u përgjigjën: Kurrë s’ka folur njeri kështu, si ky njeri. Farisenjtë pra iu përgjigjën atyre: Mos u gënjyet edhe ju? Mos i ka besuar atij ndonjë prej të parëve a prej Farisenjve? Po kjo turmë që s’di ligjin, janë të mallkuar. U thotë atyre Nikodhimi, ai që pati ardhur natën tek ai, i cili ishte një prej atyre: Mos e gjykon njeriun ligji ynë, pa e dëgjuar më parë atë, e pa marrë vesh se ç’bën? U përgjigjën e i thanë: Mos je edhe ti nga Galilea? Kërko e shih, se profet nga Galilea nuk është ngritur. Jisui pra, përsëri u foli atyre, duke thënë: Unë jam drita e botës. Ai që më vjen pas, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.