Pavli, shërbëtor i Jisu Krishtit, i thirrur apostull, i ndarë për të predikuar ungjillin e Perëndisë, që qe premtuar që përpara me anë të profetëve të tij në shkrime të shenjta, për të Birin e tij Jisu Krishtin, Zotin tonë, i cili sipas mishit lindi nga fisi i Davidit, dhe sipas Frymës së shenjtërisë u tregua Bir Perëndie me fuqi, me anë të ngjalljes prej së vdekurish, me anë të të cilit morëm hir e apostoli për emrin e tij, që të binden në besim gjithë kombet; në mes të të cilëve jeni edhe ju të thirrur të Jisu Krishtit; të gjithë juve që jeni në Romë, të dashur të Perëndisë, të thirrur shenjtorë, hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.
Edhe nuk dua të mos e dini, vëllezër, se shumë herë e vura ndër mend të vij tek ju, po u pengova deri tani që të kem ndonjë fryt edhe në mes tuaj, sikurse edhe në mes kombeve të tjerë. U jam i detyruar Grekëve e barbarëve, të diturve e të paditurve. Kështu, sa varet nga unë, jam i gatshëm të predikoj ungjillin edhe ndër ju që jeni në Romë.
Sepse nuk kam turp për ungjillin e Krishtit; sepse është fuqi Perëndie për shpëtim mbi cilindo që beson, në Judeun më parë, edhe në Grekun më pastaj. Sepse me anë të tij zbulohet drejtësia e Perëndisë prej besimi në besim, siç është shkruar, “I drejti prej besimi do të rrojë”.
Edhe Jisui vinte përqark gjithë Galilesë, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre, edhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, edhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
Edhe shkoi zëri i tij nëpër gjithë Sirinë, edhe sollën tek ai gjithë ata që kishin keq, që vuanin prej sëmundjesh dhe mundimesh të ndryshme, edhe të demonizuar, epileptikë, e të paralizuar; edhe i shëroi ata.
Edhe i shkuan pas shumë turma nga Galilea e nga Dekapoli e nga Jerusalemi e nga Judea edhe që përtej Jordanit.
Edhe kur pa turmat, u ngjit në mal, edhe si ndenji, i erdhën pranë nxënësit e tij.
Edhe hapi gojën e tij, e i mësonte, duke thënë:
Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
Lum ata që mbajnë zi, sepse ata do të ngushëllohen.
Lum ata që janë të butë, sepse ata do të trashëgojnë dhenë.
Lum ata që kanë uri e etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen.
Lum përdëllimtarët, sepse ata do të përdëllehen.
Lum të pastrit në zemër, sepse ata do të shohin Perëndinë.
Lum paqebërësit, sepse ata do të quhen bij Perëndie.
Lum ata që ndiqen për hir të drejtësisë, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
Të lumur jeni ju, kur t’ju poshtërojnë e t’ju përndjekin, e të thonë kundër jush çdo lloj fjale të keqe duke gënjyer për shkakun tim.
Gëzohuni e ngazëllohuni, sepse paga juaj është e shumtë në qiej.
Sepse kështu përndoqën edhe profetët përpara jush.
Ju jeni kripa e dheut. Po në u prishtë kripa, me se do të kripet? Për asgjë nuk vlen më, përveçse të hidhet jashtë, dhe të shkelet nga njerëzit.