Sepse zemërim Perëndie zbulohet prej qielli mbi çdo pabesi e paudhësi të njerëzve, që shtypin të vërtetën në paudhësi. Sepse çdo gjë që mund të dijë njeriu për Perëndinë është e shfaqur tek ata, se Perëndia ua shfaqi atyre. Sepse qëkurse u bë bota, të padukshmet e tij, fuqia e tij e përjetshme edhe hyjnia, duken qartë, duke u marrë me mend me anë të atyre që janë bërë, kaq sa ata të mos kenë se ç’të thonë.
Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e lavdëruan si Perëndi, as nuk e falënderuan; por u bënë të kotë në mendimet e tyre, edhe u errësua zemra e tyre e paarsyeshme. Duke thënë se janë të mençëm, u marrosën, edhe ndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në shëmbëllesë fytyre njeriu të vdekshëm, edhe shpendësh e katërkëmbëshish e zvarranikësh.
Prandaj edhe i dha Perëndia ata në papastërti me anë të dëshirimeve të zemrave të tyre, që të çnderohen trupat e atyre në mes tyre, të cilët ndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, edhe nderuan e adhuruan krijesën më tepër se Krijuesin, i cili është i bekuar për gjithë jetën. Amin.
Prandaj Perëndia i dha ata në dëshirime çnderimi; sepse edhe femrat e tyre shndërruan marrëdhënien sipas natyrës në atë kundër natyrës. Gjithashtu edhe meshkujt lanë marrëdhënien me femrën sipas natyrës, e u dogjën në dëshirimin e tyre njëri me tjetrin, duke bërë turpe meshkuj me meshkuj, e duke marrë mbi vete shpagimin e duhur të mashtrimit të tyre.
Sepse po ju them juve, se në mos teproftë drejtësia juaj më tepër se ajo e shkruesve edhe e Farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.
Keni dëgjuar se u është thënë të vjetërve: “Mos vrit”, edhe ai që të vrasë do të jetë fajtor për në gjyq.
Por unë po ju them juve se kushdo që zemërohet më kot kundër vëllait të tij, do të jetë fajtor për në gjyq, edhe ai që t’i thotë të vëllait: “raka”, do të jetë fajtor për në Këshill; edhe ai që t’i thotë: “i marrë”, do të jetë fajtor për në gjehenë të zjarrit.
Në prufsh, pra, dhuratën tënde në therore, edhe atje kujtohesh, se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje dhuratën tënde përpara therores, edhe shko e pajtohu më parë me tët vëlla, edhe atëherë, si të vish, sill dhuratën tënde.
Merru vesh shpejt me ndërgjygjësin tënd, deri sa të jesh në udhë bashkë me të; se mos të të dorëzojë ndërgjygjësi te gjyqtari, edhe gjyqtari të dorëzojë tek rojtari, e hidhesh në burg. Me të vërtetë po të them ty: Nuk do të dalësh andej, deri sa të shlyesh edhe qindarkën e fundit.