E enjte, 8 qershor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Romakëve 1:28-2:9.

Edhe si nuk deshën të njohin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi ata në mendje të prishur, që të bëjnë ato që nuk janë të hijshme. Sepse ata janë të mbushur me çdo paudhësi, immoralitet, dinakëri, lakmi, ligësi, plot me smirë, me vrasje, me grindje, me mashtrim, me poshtërsi; pëshpëritës, gojëkëqij, perëndiurrejtës, të pacipë, kryelartë, mendjemëdhenj, trillues të këqijash, të pabindur ndaj prindërve, të pamend, që nuk mbajnë fjalën, të padhembshur, të papajtueshëm, të pamëshirshëm, të cilët, ndonëse njohin drejtësinë e Perëndisë, se ata që bëjnë të tilla janë të denjë për vdekje, jo vetëm i bëjnë ato, po edhe shprehin pëlqim për ata që i bëjnë. Prandaj s’mund të drejtësosh veten, o njeri, cilido që të jesh ti që gjykon, sepse në atë që gjykon tjetrin, dënon veten tënde; sepse ti që gjykon, po ato bën. Edhe e dimë se gjyqi i Perëndisë është me të vërtetë kundër atyre që bëjnë të tillat. Edhe mendon këtë ti, o njeri, që gjykon ata që bëjnë të tillat, edhe që i bën ato edhe vetë, se ke për të shpëtuar nga gjyqi i Perëndisë? Apo përçmon pasurinë e mirësisë së tij e të durimit e të zemërgjerësisë, edhe nuk e di se mirësia e Perëndisë të sjell ty në pendim? Po për ashpërsimin tënd dhe për zemrën e papenduar mbledh në veten tënde zemërim për ditën e zemërimit e të zbulesës së gjyqit të drejtë të Perëndisë, i cili do t’ia shpaguajë gjithësecilit sipas punëve të tij: atyre që kërkojnë me durim në punë të mirë lavdi e nder e pavdekësi, do t’u japë jetë të përjetshme; po për ata që grinden dhe nuk i binden së vërtetës, po i binden paudhësisë, do të jetë mëri e zemërim, hidhërim dhe shtrëngim në çdo shpirt njeriu që punon të ligën, Judeu më parë edhe pastaj Greku.

UNGJILLI - Mateu 5:27-32.

Keni dëgjuar se është thënë: “Mos shkel kurorën”. Po unë po ju them juve, se kushdo që vë re grua me dëshirim, ka kryer kurorëshkelje në zemër të tij. Edhe në të skandalizoftë syri yt i djathtë, nxirre atë e hidhe prej teje; sepse është më mirë për ty të humbasë një nga gjymtyrët tuaja, edhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë. Edhe në të skandalizoftë dora jote e djathtë, preje atë, edhe hidhe prej teje, sepse është më mirë për ty të humbasë një nga gjymtyrët tuaja, edhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë. Edhe është thënë, se ai që të lërë gruan e tij, le t’i japë asaj letrën e ndarjes. Ndërsa unë po ju them juve, se ai që të lërë gruan e tij, përveçse për arsye immoraliteti, e bën atë të shkelë kurorën; edhe ai që të marrë grua të ndarë shkel kurorën.