Edhe atij që punon paga nuk i llogaritet si hir, po si detyrim. Por atij që s’punon, edhe i beson atij që nxjerr të drejtë të shtrembërin, besimi i tij llogaritet për drejtësi. Sikundër edhe Davidi e rrëfen lumurimin e atij njeriu, të cilit Perëndia i llogarit drejtësi, pa vepra duke thënë: “Lum ata, të cilëve iu ndjenë paudhësitë, edhe të cilëve iu mbuluan mëkatet. Lum ai njeri, të cilit Zoti nuk do t’i llogarisë mëkat.”
Ky lumurim pra thuhet vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të parrethprerët? Sepse themi se besimi iu llogarit Abrahamit për drejtësi. Si pra iu llogarit? Kur ishte i rrethprerë, apo kur ishte i parrethprerë? Jo kur ishte i rrethprerë, po kur ishte i parrethprerë. Edhe mori shenjën e rrethprerjes për vulë të drejtësisë që fitoi prej besimit që kishte kur ishte i parrethprerë, që të jetë ai atë i të gjithë atyre që besojnë kur janë të parrethprerë, që t’u llogaritet edhe atyre drejtësia; edhe atë i rrethprerjes jo vetëm për ata që janë të rrethprerë, por edhe për ata që ecin sipas gjurmëve të besimit të atit tonë Abraham kur qe i parrethprerë.
Kini kujdes nga profetët e rremë, të cilët vijnë tek ju me veshje dhensh, po përbrenda janë ujq që rrëmbejnë. Nga frytet e tyre do t’i njihni mirë ata. A mos mbledhin rrush nga drizat apo fiq nga murrizat? Kështu, çdo pemë e mirë bën frute të mira; po pema e keqe bën fryte të liga. Pema e mirë s’mund të bëjë fryte të liga, as pema e keqe të bëjë fryte të mira. Çdo pemë që s’bën fryt të mirë pritet e hidhet në zjarr. Prandaj nga frytet e tyre do t’i njihni mirë ata. Nuk do të hyjë në mbretërinë e qiejve kushdo që më thotë: Zot, Zot; por ai që bën dëshirën e Atit tim që është në qiejt.