E mërkurë, 14 qershor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Romakëve 4:13-25.

Sepse premtimi Abrahamit ose farës së tij se do të jetë trashëgimtari i botës, nuk iu bë me anë të ligjit, po me anë të drejtësisë që është prej besimit. Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë prej ligjit, besimi është i zbrazët, edhe premtimi u shfuqizua. Sepse ligji sjell zemërim; sepse ku s’ka ligj, s’ka as shkelje. Prandaj trashëgimi është prej besimit, që të jetë dhuratë, dhe premtimi të jetë i siguruar për gjithë farën, jo vetëm për atë që është prej ligjit, por edhe për atë që është prej besimit të Abrahamit, i cili është atë i ne të gjithëve, siç është shkruar: “Se të bëra atë të shumë kombeve”, përpara Perëndisë, të cilit i besoi, edhe i cili u jep jetë të vdekurve dhe quan të paqenat si të qena. Ai pa pasur shpresë, me shpresë besoi se do të bëhej atë i shumë kombeve, siç qe folur: “Kështu do të jetë fara jote”. Edhe pasi nuk ishte i dobët në besim, nuk mendoi se tanimë trupi i tij ishte i vdekur, sepse ishte rreth njëqind vjeç, as vdekjen e barkut të Sarës. As në premtimin e Perëndisë nuk pati dyshim duke mos besuar, po u forcua në besim, duke i dhënë lavdi Perëndisë, e duke qenë i bindur se atë që i premtoi Zoti është i fuqishëm edhe ta bëjë. Prandaj edhe iu llogarit atij për drejtësi. Edhe nuk u shkrua vetëm për të se iu llogarit atij, po edhe për ne, të cilëve do të na llogaritet, që i besojmë atij që ngjalli prej së vdekurish Jisuin, Zotin tonë; i cili u dorëzua për fajet tona dhe u ngjall për drejtësimin tonë.

UNGJILLI - Llukai 4:22-30.

Edhe të gjithë dëshmonin për Jisuin, dhe çuditeshin për fjalët e hirit që dilnin prej gojës së tij, dhe thoshin: A nuk është ky i biri i Josifit? Edhe ai u tha atyre: Patjetër do të më thoni këtë proverb: Mjek, shëro veten tënde. Do me thënë, sa dëgjuam që janë bërë në Kapernaum, bëji edhe këtu në vendin tënd. Po ai tha: Me të vërtetë po ju them juve, se asnjë profet nuk është i pranuar në vendin e vet. Edhe me të vërtetë po ju them juve, shumë të veja ishin në Izrael në ditët e Ilias kur u mbyll qielli tre vjet e gjashtë muaj, kur u bë një zi e madhe mbi gjithë dhenë. Po tek asnjë nga ato nuk u dërgua Ilia, përveç në Sareptë të Sidonës tek një grua e ve. Edhe shumë lebrozë ishin në Izrael në kohën e profetit Elise; po asnjë nga ata nuk u pastrua, përveç Neman Sirianit. Edhe të gjithë në sinagogë, kur dëgjuan këto, u mbushën me zemërim. Edhe u ngritën dhe e nxorën jashtë qytetit; edhe e prunë deri në buzë të malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin poshtë. Po ai si kaloi përmes tyre, iku.