Sepse në qoftë se prej fajit të njërit mbretëroi vdekja me anë të njërit, shumë më tepër ata që marrin tepricën e hirit dhe të dhuratës së drejtësisë do të mbretërojnë për jetë me anë të njërit, të Jisu Krishtit. Sikurse pra me anë të një faji erdhi dënim në gjithë njerëzit, kështu edhe me anë të një drejtësie erdhi në gjithë njerëzit drejtësimi për jetë.
Sepse sikurse me anë të mosbindjes së një njeriu u bënë fajtorë të shumtët, kështu edhe me anë të bindjes së njërit do të bëhen të drejtë të shumtët. Edhe ligji hyri në mes, që të teprojë faji. Edhe ku teproi mëkati, mbiteproi hiri; që, siç mbretëroi mëkati me anë të vdekjes, kështu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë për jetë të përjetshme, me anë të Jisu Krishtit, Zotit tonë.
Ç’të themi pra? Të qëndrojmë në mëkat, që të teprojë hiri?
Larg qoftë; ne që vdiqëm në mëkat, si do të rrojmë më në të?
Atëherë vijnë tek ai nxënësit e Joanit, e i thonë: Përse ne dhe Farisenjtë agjërojmë shumë, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?
Edhe Jisui u tha atyre: Mos mundin të mbajnë zi dasmorët, deri sa të jetë dhëndëri bashkë me ata? Por kanë për të ardhur ditë kur të merret dhëndëri prej tyre, edhe atëherë do të agjërojnë. Edhe askush nuk vë arnë një copë pëlhure të re mbi një rrobë të vjetër, sepse mbushja e saj tërheq nga rroba, edhe grisja bëhet më e keqe. As nuk vënë verë të re në shakuj të vjetër; përndryshe shakujt çahen, e vera derdhet edhe shakujt humbasin; por vënë verë të re në shakuj të rinj, edhe kështu ruhen të dyja.