E shtunë, 17 qershor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Romakëve 3:19-26.

Edhe dimë se sa thotë ligji, ua thotë atyre që janë nën ligj; që të mbyllet çdo gojë, edhe gjithë bota të bëhet fajtore përpara Perëndisë. Sepse prej punësh ligji s’ka për të dalë i drejtë asnjë mish përpara tij; sepse me anë të ligjit njihet mëkati. Po tani pa ligj u shfaq drejtësia e Perëndisë, duke u dëshmuar nga ligji dhe nga profetët. Po, drejtësia e Perëndisë me anë të besimit në Jisu Krishtin në të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë; sepse nuk ka ndonjë farë ndryshimi. Sepse të gjithë mëkatuan, edhe të gjithëve u shteret lavdia e Perëndisë, edhe drejtësohen falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpërblimit që është në Jisu Krishtin, të cilin Perëndia e vuri që përpara mjet shpërblimi me anë të besimit në gjakun e tij, që të tregojë drejtësinë e tij, për ndjesën e mëkateve që qenë bërë përpara, me anë të durueshmërisë së Perëndisë; që të tregojë drejtësinë e tij në këtë kohë, që të jetë ai i drejtë, dhe të nxjerrë të drejtë atë që i beson Jisuit.

UNGJILLI - Mateu 7:1-8.

Mos gjykoni, që të mos gjykoheni. Sepse me çfarë gjykimi gjykoni, do të gjykoheni; edhe me çfarë matësi matni, do t’ju matet edhe juve. Edhe pse shikon lëmishten në sy të vëllait tënd, edhe ja traun që është në syrin tënd nuk e ndjen? Ose si do t’i thuash vëllait tënd: Le të nxjerr lëmishten nga syri yt, edhe ja trari tek është në syrin tënd? Hipokrit, nxirr më përpara traun nga syri yt, edhe atëherë do të shohësh mirë të nxjerrësh lëmishten nga syri i tët vëllai. Mos ua jepni të shenjtën qenve; as mos hidhni margaritarët tuaj përpara derrave, se mos i shkelin ata me këmbët e tyre, edhe kthehen e ju shqyejnë juve. Lypni, edhe do t’ju jepet; kërkoni edhe do të gjeni; trokitni, edhe do t’ju hapet. Sepse kushdo që lyp merr, dhe ai që kërkon gjen, edhe atij që troket do t’i hapet.