E hënë, 19 qershor 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Juda 1-25

Juda, shërbëtor i Jisu Krishtit, edhe i vëllai i Jakovit, të thirrurve që janë të shenjtëruar prej Perëndisë Atë edhe të ruajtur prej Jisu Krishtit, përdëllim dhe paqe e dashuri, u shumoftë në ju. Të dashur, pasi bëj çdo kujdes t’ju shkruaj juve për shpëtimin e përbashkët, pata nevojë t’ju shkruaj e t’ju lutem të luftoni për besimin që iu dha një herë e mirë shenjtëve. Sepse hynë fshehurazi disa njerëz, të cilët ishin shënuar që më parë për këtë dënim, njerëz të pabesë, që kthejnë hirin e Perëndisë tonë në shthurje, edhe mohojnë të vetmin Kryezot Perëndi, dhe Zotin tonë Jisu Krisht. Edhe dua t’ju kujtoj, ndonëse ju e dini mirë këtë, se Zoti, si shpëtoi popullin nga dheu i Egjiptit, pastaj i humbi ata që nuk besuan. Edhe engjëjt që nuk ruajtën gjendjen e tyre të parë, por lanë banesën e tyre, i ka ruajtur me vargonj të përjetshëm nën errësirë, për gjyqin e ditës së madhe. Porsi Sodoma e Gomorra edhe qytetet rreth tyre, që u dhanë në kurvëri në mënyrë të ngjashme me të atyre, edhe shkuan prapa tjetër mishi, janë vënë përpara si shembull duke u munduar me zjarr të përjetshëm. Gjithashtu edhe këta, duke parë ëndrra, ndotin trupin dhe nuk përfillin pushtetin, edhe ofiqet i blasfemojnë. Edhe Mihaili, kryeengjëlli, kur duke luftuar për trupin e Moisiut hahej me djallin, nuk guxoi të bjerë kundër atij ndonjë dënim blasfemie, por tha: Zoti të qortoftë. Edhe këta për gjëra që nuk i dinë blasfemojnë; edhe prishen për ato që i dinë prej natyre, porsi shtazët pa mend. Mjerë ata! Sepse ecën në udhën e Kainit, edhe për fitim u derdhën me vrap pas mashtrimit të Balaamit, edhe humbën në kundërshtimin e Koreut. Këta janë njolla në gostitë e dashurisë suaj, kur hanë e pinë bashkë me ju pa frikë, edhe kullosin veten e tyre; janë re pa ujë që sillen andej e këtej prej erërave; janë drurë vjeshte të pafrytshëm, dy herë të vdekur, të shkulur nga rrënjët; valë deti të egra që shkumëzojnë turpet e tyre; yje që enden andej e këtej, për të cilët është ruajtur errësira e zezë për gjithë jetën. Edhe për këta profetizoi edhe Enohu, i shtati nga Adami, duke thënë: “Ja tek erdhi Zoti me mijëra prej shenjtorëve të tij, që të bëjë gjyq për të gjithë, edhe të qortojë gjithë të pabesët në mes të atyre, për gjithë veprat e pabesisë së atyre që punuan me pabesi, edhe për të gjitha fjalët e ashpra që mëkatarët e pabesë folën kundër tij”. Këta janë murmuritës, qaramanë, që ecin sipas dëshirave të tyre; edhe goja e tyre flet fjalë fort të fryra, edhe përkëdhelin njerëz, që të kenë përfitim nga ata. Po ju, o të dashur, kujtoni fjalët që u parathanë nga apostujt e Zotit tonë Jisu Krisht, se ju thoshin juve: “se në kohën e fundit do të ketë përqeshës që do të ecin sipas dëshirimeve të pabesive të tyre”. Këta janë ata që përçajnë, gjallësorë, që s’kanë Frymë. Po ju, o të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj fort të shenjtë, e duke u lutur me Frymë të Shenjtë, ruani veten tuaj në dashurinë e Perëndisë, duke pritur përdëllimin e Zotit tonë Jisu Krisht për jetë të përjetshme. Edhe disa përdëllejini, kur hahen me ju; edhe të tjerë shpëtojini me frikë, duke i rrëmbyer nga zjarri, edhe duke urryer edhe rrobën që është fëlliqur nga mishi. Edhe atij që mund t’ju ruajë të pafajshëm dhe t’ju paraqesë përpara lavdisë së tij faqebardhë e me ngazëllim, të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi dhe madhështi, fuqi dhe pushtet, edhe tani edhe në gjithë jetët. Amin.

UNGJILLI - Joani 14:21-24

Ai që ka urdhërimet e mia dhe i ruan, ky është ai që më do; edhe ai që më do, do të duhet prej Atit tim; edhe unë, do ta dua, edhe do të tregoj veten time tek ai. I thotë Juda, jo Iskarioti: Zot, ç’ndodhi, që do të tregosh veten tënde te ne, e jo tek bota? Jisui u përgjigj e i tha: Në më do ndonjë, fjalën time do ta ruajë, dhe Ati im do ta dojë, dhe do të vijmë tek ai, dhe do të bëjmë banesë tek ai. Ai që s’më do, fjalët e mia nuk i ruan, dhe fjala që dëgjoni, nuk është imja, por e Atit që më dërgoi.