Lavdi e nder e paqe për cilindo që punon të mirën, Judeun më parë edhe pastaj Grekun. Sepse tek Perëndia s’ka mbajtje ane.
Sepse sa mëkatuan pa ligj, pa ligj edhe do të përfundojnë; edhe sa mëkatuan nën ligj, me ligj do të gjykohen, sepse nuk janë të drejtë përpara Perëndisë ata që dëgjojnë ligjin, po ata që zbatojnë ligjin do të drejtësohen.
Sepse kur kombet që s’kanë ligj, prej natyre bëjnë punët e ligjit, këta, ndonëse s’kanë ligj, janë vetë ligj në veten e tyre, të cilët tregojnë punën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre, sepse kanë ndërgjegjen e tyre duke dëshmuar bashkë me ta, edhe mendimet duke akuzuar ose duke drejtësuar njëri-tjetrin, në atë ditë, kur do të gjykojë Perëndia të fshehtat e njerëzve, sipas ungjillit tim, me anë të Jisu Krishtit.
Edhe tek ecte pranë detit të Galilesë, Jisui pa dy vëllezër, Simonin, që thirrej Pjetër, edhe Andrean, vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë.
Edhe u thotë atyre: Ejani pas meje, edhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish. Edhe ata menjëherë lanë rrjetat, e shkuan pas tij. Edhe si shkoi më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakovin, të birin e Zebedeut, edhe Joanin, të vëllain, në lundër bashkë me Zebedeun, të atin, duke rregulluar rrjetat, edhe i thirri ata.
Edhe ata përnjëherë lanë lundrën edhe të atin, edhe shkuan pas tij.
Edhe Jisui vinte përqark gjithë Galilesë, duke mësuar nëpër sinagoga, edhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, edhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.