Edhe këtë ju them, duke ditur kohën se tashmë është ora të zgjohemi nga gjumi; sepse tani shpëtimi ynë është më afër sesa kur besuam.
Nata u thye dhe dita u afrua; le të hedhim pra tej veprat e errësirës, dhe le të veshim armët e dritës. Le të ecim hijshëm si ditën; jo në argëtime e dehje, jo në shtretër imoraliteti e shthurje, jo në grindje e smirë; po vishni Zotin Jisu Krisht, edhe mos bëni kujdes për mishin që t’i plotësoni dëshirimet.
Edhe atë që është i dobët në besim, mirëpriteni, por jo për rrahje mendimesh. Sepse dikush beson se mund të hajë nga të gjitha, kurse ai që është i dobët ha lakra.
Ai që ha le të mos përbuzë atë që s’ha; edhe ai që s’ha le të mos gjykojë atë që ha; sepse Perëndia e ka pranuar. Cili je ti që gjykon shërbëtorin e huaj? Prej të zotit të vet ai qëndron ose bie; por do të qëndrojë; sepse Perëndia është i fortë ta bëjë të qëndrojë atë.
Pasi shumë veta u përpoqën të hartojnë një tregim për ato punë, që janë vërtetuar plotësisht ndër ne, siç na i kanë lënë ata, të cilët që në fillim i panë me sy dhe u bënë shërbëtorë të fjalës, m’u duk e udhës edhe mua, që u kam rënë prapa të gjithave që në fillim hollë-hollë, të t’i shkruaj me radhë, o fort i pushtetshëm Teofil, që të njohësh vërtetësinë e atyre fjalëve që mësove.
Në ditët e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift, me emrin Zaharia, prej rendit të Abiait; edhe gruaja e tij ishte prej të bijave të Aaronit, edhe emri i saj ishte Elisabeta.
Edhe që të dy ishin të drejtë përpara Perëndisë, duke ecur pa të metë në gjithë porositë dhe urdhërimet e Zotit. Edhe ata s’kishin fëmijë, sepse Elisabeta ishte shterpë, edhe të dy ishin të shkuar në ditët e tyre.
Edhe ndërsa ai ishte duke bërë punët e priftërisë përpara Perëndisë sipas radhës së shërbesës së tij priftërore, sipas zakonit të priftërisë, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit e të temjanisë. Edhe gjithë turma e popullit ishte duke u lutur përjashta në kohën e temjanisjes.
Edhe iu shfaq atij një engjëll i Zotit duke ndenjur në të djathtë të altarit të temjanit. Edhe Zaharia kur e pa, u drodh dhe frikë ra mbi të.
Po engjëlli i tha: Mos u frikëso, Zahari, sepse lutja jote u dëgjua, edhe gruaja jote, Elisabeta, do të lindë djalë, dhe do ta quash emrin e tij Joan. Edhe ti do të kesh gëzim e ngazëllim; edhe shumë njerëz do të gëzohen për lindjen e tij.
Sepse do të jetë i madh përpara Zotit, edhe verë e pije dehëse nuk do të pijë, edhe me Frymë të Shenjtë do të mbushet që nga barku i së ëmës. Edhe shumë nga të bijtë e Izraelit ka për t’i kthyer në Zotin Perëndinë e tyre.
Edhe ai do të vijë përpara atij me frymë e me fuqi të Ilias, për të kthyer zemrat e etërve mbi bijtë, edhe të pabindurit në urtësinë e të drejtëve, për t’i bërë gati Zotit një popull të përgatitur.
Edhe Zaharia i tha engjëllit: Si ta marr vesh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime e vjetër në ditët e saj.
Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Unë jam Gabrieli që rri përpara Perëndisë; edhe u dërgova që të të flas ty, edhe të të jap lajmin e mirë për këto. Edhe ja tek do të jesh pa gojë e nuk do të mundësh të flasësh deri në atë ditë që do të bëhen këto; sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre.
Edhe populli po priste Zaharinë, edhe çuditeshin për vonesën e tij në tempull. Edhe kur doli, nuk mundej t’u fliste atyre; edhe e kuptuan se kishte parë fanitje në tempull; edhe ai u bënte me shenja, edhe mbeti i pagojë.
Edhe si u mbushën ditët e shërbesës së tij, shkoi në shtëpinë e vet. Edhe pas këtyre ditëve Elisabeta, gruaja e tij, u mbars; edhe e fshihte veten pesë muaj, duke thënë se kështu bëri Zoti për mua në ditët që më hodhi sytë e tij, që të heqë përgojimin tim në mes njerëzve.
Edhe Elisabetës iu mbush koha për të lindur; edhe lindi djalë. Edhe fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti madhëroi përdëllimin e tij tek ajo; edhe gëzoheshin bashkë me të.
Edhe në të tetën ditë erdhën që të rrethpresin fëmijën, edhe e quanin Zahari, në emrin e të atit. Po e ëma u përgjigj e tha: Jo, por do të quhet Joan.
Edhe i thanë asaj se s’ka ndonjë në fisin tënd që të quhet me këtë emër. Edhe i bënin me shenja të atit të tij, ç’emër donte t’i jepet atij. Edhe ai kërkoi një dërrasë shkrimi, edhe shkroi, duke thënë: Joan është emri i tij. Edhe të gjithë u çuditën. Edhe menjëherë u hap goja e tij dhe gjuha e tij; edhe fliste duke bekuar Perëndinë.
Edhe u hyri frikë gjithë atyre që banonin rreth tyre. Edhe të gjitha këto fjalë fliteshin nëpër gjithë malësinë e Judesë. Edhe të gjithë ata që i dëgjuan i vunë këto në zemrat e tyre, duke thënë: Vallë, ç’do të jetë ky fëmijë? Edhe dora e Zotit ishte bashkë me të.
Edhe Zaharia, i ati, u mbush me Frymë të Shenjtë; edhe profetizoi, duke thënë:
I bekuar qoftë Zoti Perëndia i Izraelit, sepse erdhi dhe bëri shpërblim në popullin e tij.
Edhe ti, o djalë, profet i të Lartit do të quhesh; sepse do të shkosh përpara faqes së Zotit, për të bërë gati udhët e tij.
Edhe djali rritej e forcohej në frymë, dhe ishte në shkretëtirë deri në atë ditë që do t’i tregohej Izraelit.