Si u drejtësuam pra prej besimi, kemi paqe me Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, prej të cilit kemi edhe hyrjen me anë të besimit në këtë hir, në të cilin qëndrojmë; edhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Edhe jo vetëm kjo, po edhe mburremi për shtrëngimet, duke ditur se shtrëngimi sjell durim, edhe durimi provë, edhe prova shpresë. Edhe shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.
Sepse kur ishim ne ende të sëmurë, Krishti vdiq në kohën e caktuar për të pabesët. Sepse vështirë edhe për një njeri të drejtë dikush do të vdesë; sepse për të mirin mbase edhe guxon ndonjë të vdesë. Po Perëndia tregon dashurinë e tij për ne, sepse ndërsa ne ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Shumë më tepër pra, si dolëm të drejtë tani me anë të gjakut të tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. Sepse, në qoftë se kur ishim armiq u pajtuam me Perëndinë me anë të vdekjes së Birit të tij, shumë më tepër pasi u pajtuam do të shpëtojmë me anë të jetës së tij.
Kandili i trupit është syri. Në qoftë pra se syri yt është i kthjellët, gjithë trupi yt do të jetë i ndritshëm. Po në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë pra se drita që gjendet tek ti është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira?
Asnjë s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose njërin do ta urrejë, edhe tjetrin do ta dojë; ose njërit do t’i ngjitet prapa, edhe tjetrit do t’i kthejë krahët. Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe Mamonait. Prandaj po ju them juve: Mos u shqetësoni për jetën tuaj, ç’të hani edhe ç’të pini; as për trupin tuaj ç’të vishni. A nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi, edhe trupi se të veshurit? Vështroni shpendët e qiellit, se nuk mbjellin as nuk korrin, as nuk mbledhin në grunarë, edhe Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk ndryshoni ju më tepër se ata? Po cili nga ju duke u shqetësuar mund të shtojë një kut në shtatin e tij?
Edhe pse shqetësoheni për veshjen? Vështroni zambakët e arës, si rriten; as mundohen, as endin. Po ju them juve, se as Solomoni me gjithë lavdinë e tij nuk qe veshur ashtu si një nga këto. Po në qoftë se barin e arës, që sot është e nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, a nuk do t’ju veshë ju shumë më tepër, o besëpakë? Po mos u shqetësoni pra duke thënë: ç’të hamë a ç’të pimë a ç’të veshim? Sepse gjithë këto i kërkojnë me ngulm kombet; sepse Ati juaj qiellor e di se keni nevojë për gjithë këto. Po kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë, dhe drejtësinë e tij; dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve.