E premte, 7 korrik 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Romakëve 16:1-16.

Edhe ju rekomandoj juve Fivën, motrën tonë, që është dhiakone e kishës në Qenkre, që ta pritni në Zotin, siç është e denjë për shenjtorët, edhe ta ndihmoni atë për çdo gjë që të ketë nevojë prej jush; sepse edhe ajo u ka ndihmuar shumë vetave, edhe mua vetë. Përshëndetni Priskilën e Akilën, bashkëpunëtorët e mi në Jisu Krishtin, të cilët vunë qafën e tyre nën thikë për jetën time, të cilët i falënderoj jo vetëm unë, por edhe gjithë kishat e kombeve; si edhe kishën që është në shtëpinë e tyre. Përshëndetni Epenetin tim të dashur, i cili është fryti i parë e Akaisë në Krishtin. Përshëndetni Marien, e cila u mundua shumë për ne. Përshëndetni Andronikun dhe Juninë, të afërmit e mi e shokë të mi të burgut, të cilët janë të nderuar ndërmjet apostujve, të cilët edhe më përpara se unë kanë qenë në Krishtin. Përshëndetni Ampliun, të dashurin tim në Zotin. Përshëndetni Urbanin bashkëpunëtorin tonë në Krishtin, si dhe Stahin, të dashurin tim. Përshëndetni Apelinin, të provuarin në Krishtin. Përshëndetni ata të Aristobulit. Përshëndetni Irodionin, të afërmin tim. Përshëndetni ata të Narqisit, sa janë në Zotin. Përshëndetni Trifenën dhe Trifosën, të cilat mundohen në Zotin. Përshëndetni të dashurën Persidë, e cila shumë u mundua në Zotin. Përshëndetni Rufin, të zgjedhurin në Zotin dhe të ëmën e tij, që është edhe imja. Përshëndetni Asinkritin, Flegondin, Ermain, Patrovin, Ermiun, edhe vëllezërit që janë bashkë me ta. Përshëndetni Filologun dhe Julinë, Nireun dhe motrën e tij, edhe Olimbain, edhe gjithë shenjtorët që janë bashkë me ata. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Ju përshëndesin ju kishat e Krishtit.

UNGJILLI - Mattheu 13:3-9.

Edhe u foli atyre shumë me paravoli, duke thënë: Ja mbjellësi tek doli të mbjellë. Edhe ndërsa ai po mbillte, disa fara ranë pranë udhës; edhe erdhën shpendët e i hëngrën të gjitha. Edhe të tjera ranë mbi gurishte, ku s’kishte tokë shumë; edhe përnjëherë mbinë, se s’kishte tokë të thellë. Po kur lindi dielli, u dogjën, edhe pasi nuk kishin rrënjë, u thanë. Edhe të tjera ranë mbi gjemba, edhe u rritën gjembat, e i mbytën ato. Edhe të tjera ranë mbi dhe të mirë; edhe jepnin fryt, njëra njëqind, e tjetra gjashtëdhjetë, e tjetra tridhjetë. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.