Vëllezër, dëshira e zemrës sime, edhe lutja që i bëj Perëndisë për Izraelin, është për shpëtim të tyre. Sepse dëshmoj për ata se kanë zell për Perëndinë, po jo me vetëdije.
Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë, edhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e tyre, nuk iu bindën drejtësisë së Perëndisë. Sepse fundi i ligjit është Krishti, për drejtësi tek cilido që beson.
Sepse Moisiu shkruan për drejtësinë që është prej ligjit: “Se njeriu që bën këto, do të rrojë me anë të tyre”. Po drejtësia që është prej besimit thotë kështu: “Mos thuaj në zemrën tënde: Kush do të ngjitet në qiell?” domethënë, që të zbresë Krishtin. Apo: “Kush do të zbresë në humnerën e pafund?” domethënë, që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish. Po ç’thotë?
“Fjala është afër teje, në gojën tënde e në zemrën tënde”, domethënë, fjala e besimit që predikojmë; se në rrëfefsh me gojën tënde Zotin Jisu, edhe në besofsh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli atë prej së vdekurish, do të shpëtosh.
Sepse njeriu beson me zemër për drejtësi, edhe me gojë rrëfehet për shpëtim.
Edhe kur erdhi ai në anën e përtejme, në vendin e Gjergjesinëve, i dolën përpara dy të demonizuar, që dilnin nga varret, fort të egër, kaq sa s’mund të shkonte njeri nga ajo udhë. Edhe ja tek bërtitën duke thënë: Çfarë ka mes nesh dhe teje, o Jisu, bir i Perëndisë? Erdhe këtu përpara kohës që të na mundosh? Edhe larg atyre ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur.
Edhe demonët i luteshin atij, duke thënë: Po na nxore që këtej, lërna të shkojmë në tufën e derrave. Edhe u tha atyre: Shkoni. Edhe ata dolën e shkuan në tufën e derrave. Edhe ja gjithë tufa e derrave tek u hodh nga gremina në det, edhe ngordhën në ujërat.
Edhe barinjtë ikën e erdhën në qytet, e lajmëruan për të gjitha edhe për sa u ndodhi të demonizuarve. Edhe ja gjithë qyteti tek doli për të takuar Jisuin; edhe kur e panë atë, iu lutën të ikë nga kufijtë e tyre.
Edhe si hyri në lundër, u hodh përtej, e erdhi në qytetin e tij.