E premte, 14 korrik 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - 1 Korinthianëve 4:5-9.

Prandaj mos gjykoni asgjë përpara kohës, deri sa të vijë Zoti, i cili edhe do të ndriçojë të fshehtat e errësirës dhe do të shfaqë dëshirat e zemrave; edhe atëherë gjithësecilit lëvdimi do t’i bëhet nga Perëndia. Edhe këto, o vëllezër, për të mirën tuaj, i shndërrova në shembull mbi veten time edhe mbi Apolloin, që të mësoni prej nesh të mos mendoni më tepër nga ç’është shkruar, që ndonjë prej jush të mos krekoset për njërin kundër tjetrit. Sepse cili të shquan ty nga tjetri? Dhe ç’gjë ke ti që nuk e more? Edhe nëse e ke marrë, pse mburresh sikur nuk e ke marrë? Tashmë jeni të ngopur, tashmë u pasuruat, pa ne mbretëruat; edhe lum të kishit mbretëruar, që edhe ne të mbretëronim bashkë me ju. Sepse më duket se Perëndia ne apostujt na tregoi për më të fundit e njerëzve, si të dënuar me vdekje; sepse u bëmë lojë në botë, në engjëjt e në njerëzit.

UNGJILLI - Mattheu 13:44-54.

Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në arë, të cilin kur e gjeti një njeri e fshehu; edhe nga gëzimi i tij shkon e shet gjithë sa ka, edhe blen atë arë. Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një njeri tregtar, që kërkonte margaritarë të mirë, i cili kur gjeti një margaritar të çmuar shkoi e shiti gjithë sa kishte, edhe e bleu atë. Përsëri, mbretëria e qiejve është e ngjashme me një rrjetë që u hodh në det edhe mblodhi çdo lloj gjëje. Edhe si u mbush, e nxorën atë në buzë të detit, edhe ndenjën e mblodhën të mirat në enë, edhe të këqijat i hodhën jashtë. Kështu do të jetë në mbarim të jetës. Do të dalin engjëjt e do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët, edhe do t’i hedhin ata në furrën e zjarrit; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve. U thotë atyre Jisui: A i kuptuat këto të gjitha? I thonë atij: Po, Zot. Edhe ai u tha atyre: Prandaj çdo shkrues i mësuar për mbretërinë e qiejve është i ngjashëm me një njeri zot shtëpie, që nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja dhe të vjetra. Edhe ndodhi që kur Jisui, mbaroi këto paravolira, iku andej. Edhe si erdhi në dhe të tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kaq sa ata çuditeshin e thoshin: Nga e ka ky këtë urtësi dhe këto fuqi?