Edhe ne të fortët kemi detyrë të mbajmë dobësitë e të dobtëve, e jo t’i pëlqejmë vetes. Gjithsecili prej nesh le t’i pëlqejë të afërmit për të mirën që çon në ndërtim. Sepse edhe Krishti nuk pëlqeu vetveten, po siç është shkruar: “Sharjet e atyre që të shajnë ty ranë mbi mua”.
Sepse sa u shkruan më përpara, u shkruan për mësimin tonë, që të kemi shpresë me anë të durimit e të ngushëllimit të shkrimeve.
Edhe Perëndia i durimit e i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni të njëjtën mendje ndërmjet jush sipas Jisu Krishtit; që të lavdëroni njëzëri me një gojë Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jisu Krisht.
Prandaj pranoni njëri-tjetrin, siç ju pranoi edhe Krishti për lavdi të Perëndisë.
Edhe duke ikur Jisui andej, i shkuan prapa dy të verbër, duke klithur e duke thënë: Përdëllena, o bir i Davidit. Edhe kur erdhi ai në shtëpi, erdhën pranë tij të verbërit, edhe Jisui u thotë atyre: Besoni se mund ta bëj këtë? Ata i thonë atij: Po, Zot.
Atëherë preku sytë e tyre duke thënë: Sipas besimit tuaj u bëftë në ju. Edhe u hapën sytë e tyre. Edhe Jisui i porositi ata rreptësisht, duke thënë: Shikoni të mos e marrë vesh njeri. Po ata sa dolën e përhapën famën e tij nëpër gjithë atë dhe.
Edhe kur po dilnin ata, ja tek i prunë atij një njeri shurdh të demonizuar. Edhe si u nxor demoni, foli i shurdhëri. Edhe turmat u çuditën, duke thënë se kurrë ndonjëherë nuk është parë kështu në Izrael. Por Farisenjtë thoshin: Me anë të të parit të demonëve i nxjerr demonët.
Edhe Jisui shkonte përqark nëpër gjithë qytetet e fshatrat, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.