Edhe në ato ditë kur po shumoheshin nxënësit, u bë një ankim prej Greqishtarëve kundër Hebrenjve, se të vejat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.
Atëherë të dymbëdhjetët thërritën grupin e nxënësve, e thanë: Nuk është e pëlqyeshme për ne të lëmë fjalën e Perëndisë, e të shërbejmë nëpër tryezat.
Mendohuni pra, o vëllezër, e zgjidhni prej jush shtatë burra me dëshmi të mirë e të mbushur me Frymë të Shenjtë e me urtësi, të cilët t’i vëmë në këtë punë. Kurse ne do të qëndrojmë në falje e në shërbesën e fjalës.
Edhe kjo fjalë u pëlqye përpara të gjithë grupit; dhe zgjodhën Stefanin, burrë plot me besim e me Frymë të Shenjtë, edhe Filipin e Prohorin e Nikanorin e Timonin e Parmenain, edhe Nikollën që ishte prozelit nga Antiokia; të cilët i vunë para apostujve; edhe pasi u lutën, vunë duart mbi ata. Edhe fjala e Perëndisë shtohej, edhe numri i nxënësve shumohej fort në Jerusalem; edhe një shumicë e madhe nga priftërinjtë dëgjonin besimin.
Edhe nxënësit e tij e pyetën, duke thënë: Përse pra thonë shkruesit se duhet të vijë më përpara Ilia? Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Ilia vjen më përpara, edhe do të vërë në vend gjithçka. Por unë po ju them juve se Ilia erdhi tashmë edhe nuk e njohën, por i bënë ç’deshën. Kështu edhe Biri i njeriut do të vuajë nga ata. Atëherë e kuptuan nxënësit se u tha për Joan Pagëzorin.
Edhe kur erdhën ata tek turma, i erdhi pranë një njeri e i ra në gjunjë, duke thënë; Zot, përdëlle tim bir, sepse e zë sëmundja e hënës (e tokës), edhe heq keq; sepse shumë herë bie në zjarr, e shumë herë në ujë. Edhe e çova te nxënësit e tu, por nuk mundën ta shërojnë. Edhe Jisui u përgjigj e tha: O brez i pabesë dhe i shthurur, deri kur do të jem bashkë me ju? Deri kur do t’ju duroj ju? Sillmani mua atë këtu. Edhe Jisui e qortoi atë, edhe demoni doli nga ai, edhe djali u shërua që në atë çast.