Çdo shpirt le t’i nënshtrohet pushteteve që janë mbi të; sepse nuk ka pushtet veç nga Perëndia; edhe pushtetet që janë, prej Perëndisë janë urdhëruar. Prandaj ai që kundërshton pushtetin, kundërshton urdhrin e Perëndisë; edhe ata që i kundërvihen, do të marrin dënim mbi veten e tyre. Sepse krerët nuk janë frikë për punët e mira, po për të ligat. Do pra të mos kesh frikë nga pushteti? Bëj të mirën, dhe do të lëvdohesh prej tij. Sepse pushtetari është shërbëtor i Perëndisë tek ty për të mirën. Po nëse bën të keqen, frikësohu; sepse ai nuk e mban më kot thikën; sepse është shërbëtor i Perëndisë, shpagimmarrës që përmbush zemërimin ndaj atij që kryen të keqen.
Prandaj është e nevojshme të ulni kryet, jo vetëm për shkak të zemërimit, po edhe prej ndërgjegjes. Sepse për këtë paguani edhe taksa, se janë shërbëtorë Perëndie, që kujdesen për këtë. Jepuni pra të gjithëve detyrimet; atij që i keni detyrim taksën, taksën; atij që i keni detyrim tatimin, tatimin; atij që i keni detyrim frikën, frikën; atij që i keni detyrim nderin, nderin.
Asnjeriu të mos i detyroheni asgjë, përveç se të doni njëri-tjetrin; sepse ai që do tjetrin, ka përmbushur ligjin. Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos jep dëshmi të rreme, mos lakmo”, edhe çdo urdhërim tjetër, janë përmbledhur në këtë fjalë: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”. Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria pra është përmbushja e ligjit.
Ai që nuk është bashkë me mua, është kundër meje; edhe ai që nuk mbledh bashkë me mua, shpërndan. Prandaj ju them juve: Çdo mëkat e çdo blasfemi do t’u ndjehet njerëzve; po blasfemia kundër Frymës nuk do t’u ndjehet njerëzve. Edhe atij që të thotë fjalë kundër të Birit të njeriut, do t’i ndjehet; po atij që të thotë fjalë kundër Frymës së Shenjtë, nuk do t’i ndjehet as në këtë jetë, as në atë që vjen. Ose bëni pemën të mirë dhe frytin e saj të mirë; ose bëni pemën të keqe dhe frytin e saj të keq; sepse pema njihet nga fryti. Pjellë nepërkash, si mund të flisni të mira, duke qenë të ligj? Sepse goja flet nga teprica e zemrës.
Njeriu i mirë nxjerr të mirat nga thesari i mirë; dhe njeriu i lig nxjerr të liga nga thesari i lig. Dhe po ju them juve se çdo fjalë të kotë që do të flasin njerëzit, do të japin llogari për atë në ditën e gjyqit. Sepse nga fjalët e tua do të drejtësohesh, edhe nga fjalët e tua do të dënohesh.