E martë, 1 gusht 2023 – Leximet biblike

APOSTULLI - Hebrenjve 11:33-12:2

(Profetët) me anë të besimit mundën mbretëri, punuan drejtësi, fituan premtime, mbyllën gojë luanësh, shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i thikës, morën fuqi nga dobësitë, u bënë të fortë në luftë, thyen ushtritë e të huajve. Gra morën të vdekurit e tyre të ngjallur; edhe të tjerë u munduan, sepse nuk pranuan shpëtimin, që të fitonin një ngjallje më të mirë. Edhe të tjerë u provuan me të përqeshura e me të rrahura, por edhe me të lidhura e me burgime. U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u nganë, vdiqën të vrarë prej shpatë; endeshin lart e poshtë veshur me lëkurë dhensh, e me lëkurë dhish, në nevojë, në shtrëngime, në keqtrajtime, ata për të cilët bota nuk ishte e denjë; duke u endur nëpër shkretëtira e nëpër male e nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut. Edhe këta të gjithë, ndonëse morën dëshmi të mirë me anë të besimit, nuk morën premtimin, sepse Perëndia pati urdhëruar që përpara një gjë më të mirë për ne, që të mos bëhen të përsosur pa ne. Prandaj dhe ne, të rrethuar prej një reje kaq të madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pushton lehtë, edhe me durim le të vrapojmë në rrugën që është përpara nesh, duke shikuar tek Jisui që është kryet dhe fundi i besimit, i cili për gëzimin që ishte përpara tij duroi kryqin, duke përbuzur turpin, edhe ndenji në të djathtë të fronit të Perëndisë.

UNGJILLI - Mattheu 10:16-22

Ja tek po ju dërgoj unë juve si dhen në mes të ujqve; bëhuni pra të mençur si gjarpërinjtë, dhe të pastër si pëllumbat. Edhe ruhuni nga njerëzit; sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër kuvende, edhe do t’ju fshikullojnë nëpër sinagogat e tyre; Edhe do të silleni për shkakun tim përpara prijësve edhe përpara mbretërve, për dëshmi në ta dhe në kombet. Po kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se si apo ç’do të flisni, sepse do t’ju jepet juve në atë orë se ç’do të flisni. Sepse nuk jeni ju ata që flisni, po Fryma e Atit tuaj që flet ndër ju. Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllanë në vdekje, edhe i ati të birin; edhe bijtë do të ngrenë krye kundër prindërve e do t’i vrasin. Edhe do të urreheni nga të gjithë për emrin tim; por ai që të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.