E hënë, 31 korrik 2023 – Leximet biblike

APOSTULLI - 1 Korinthianëve 11:31-12:6

Sepse po të dallonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. Po kur gjykohemi, ndreqemi prej Zotit, që të mos dënohemi bashkë me botën. Prandaj, vëllezër, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njëri-tjetrin. Po në i ardhtë uri ndonjërit, le të hajë në shtëpi të tij, që të mos mblidheni për dënim. Edhe të tjerat, kur të vij do t’i vë në rregull. Edhe për dhuratat shpirtërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur. E dini se kur ishit kombe, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë si të tërhequr prej dikujt. Prandaj ju bëj të ditur, se askush që flet me fjalë Perëndie nuk thotë për Jisuin qoftë i mallkuar; edhe askush nuk mund të thotë se Jisui është Zot, veçse me anë të Frymës së Shenjtë. Edhe ka ndarje dhuntish, po Fryma është po ajo. Edhe ndarje shërbesash, po Zoti është po ai; Edhe ndarje punësh, po Zoti është po ai që punon të gjitha në të gjitha.

UNGJILLI - Mattheu 18:1-11

Në atë orë erdhën nxënësit tek Jisui e i thanë: Vallë, cili është më i madh në mbretërinë e qiejve? Edhe Jisui thirri pranë vetes së tij një fëmijë të vogël, edhe e vendosi atë në mes të tyre, e tha: Me të vërtetë po ju them juve, në mos u kthefshi e të bëheni si fëmijët e vegjël, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Ai që të përulë pra veten e tij si ky fëmijë i vogël, ky është më i madh në mbretërinë e qiejve. Dhe ai që të presë një të këtillë fëmijë të vogël në emrin tim, më pret mua. Po kush të shtyjë në mëkat një nga këta të vegjlit që beson tek unë, është më mirë për të t’i varet një gur mulliri i madh rreth qafës, edhe të hidhet në fund të detit. Mjerë bota nga skandalet! Sepse është e nevojshme të vijnë skandalet, po mjerë ai njeri, prej të cilit vjen skandali. Edhe në të skandalizoftë dora jote a këmba jote, preje, dhe hidhe prej teje; është më mirë për ty të hysh në jetë me një këmbë a me një dorë, se të kesh dy duar a dy këmbë e të hidhesh në zjarr të pasosur. Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre dhe hidhe prej teje; më mirë është për ty të hysh në jetë me një sy vetëm, se të kesh dy sy e të hidhesh në gjehenën e zjarrit. Shikoni, mos shpërfillni një nga këta të vegjlit; sepse po ju them juve, se engjëjt e tyre në qiejt shohin gjithnjë faqen e Atit tim që është në qiejt. Sepse i Biri i njeriut erdhi të shpëtojë të humburin.