E enjte, 3 gusht 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - 1 Korinthianëve 14:6-19.

Edhe tani, vëllezër, në ardhsha tek ju duke folur gjuhë, ç’dobi do t’ju sjell, në mos ju folsha ose me zbulesë, ose me dituri, ose me profeci, ose me mësim? Edhe ato që s’kanë shpirt e nxjerrin zë, qoftë fyell, qoftë kitarë, po të mos japin tinguj të veçantë, si do të njihet rënia e fyellit, ose rënia e kitarës? Sepse, në dhëntë trumbeta zë që s’kuptohet, cili do të bëhet gati për luftë? Kështu edhe ju, po të mos jepni me anë të gjuhës fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet ajo që flitet? Sepse do të flisni në erë. Në botë mbase ka gjithfarë gjuhësh, edhe asnjë nga ato s’është pa kuptim. Nëse nuk e di pra kuptimin e gjuhës, do të jem i huaj për atë që flet, dhe ai që flet, i huaj për mua. Kështu edhe ju, meqë jeni të zellshën për dhuratat shpirtërore, kërkoni t’i shtoni ato për ndërtimin e kishës. Prandaj ai që flet gjuhë të panjohur, le të lutet që të bëhet i zoti ta përkthejë. Sepse në u lutsha me gjuhë të panjohur, shpirti im lutet, po mendja ime është e pafrytshme. Ç’duhet pra? Do të lutem me shpirtin, po do të lutem edhe me mendjen; do të psal me shpirtin, po do të psal edhe me mendjen. Sepse në qoftë se bekon me shpirt, ai që është në rrethin e të paditurve, si do të thotë Amin, kur ti falënderon? Se ai nuk di se ç’thua. Sepse ti mirë falënderon, po tjetri nuk ndërtohet. Falënderoj Perëndinë tim se flas më shumë gjuhë se ju të gjithë. Po në kishë dua më mirë të flas pesë fjalë të kuptueshme, që të mësoj edhe të tjerë, se dhjetë mijë fjalë në gjuhë të panjohur.

UNGJILLI - Mattheu 20:17-28.

Edhe Jisui, duke u ngjitur në Jerusalem, mori me vete të dymbëdhjetë nxënësit mënjanë në udhë, edhe u tha: Ja tek po ngjitemi në Jerusalem, edhe i Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve; edhe do ta dënojnë me vdekje; edhe do t’ia dorëzojnë kombeve që ta përqeshin e ta fshikullojë e ta kryqëzojnë; edhe të tretën ditë do të ngjallet. Atëherë i erdhi pranë e ëma e bijve të Zevedheut bashkë me të bijtë, duke iu falur e duke kërkuar diçka nga ai. Edhe ai i tha: Ç’do? Ajo i thotë: Thuaj të rrinë këta të dy bijtë e mi, njëri në të djathtën tënde e njëri në të majtën, në mbretërinë tënde. Po Jisui u përgjigj e tha: Nuk dini se ç’kërkoni. A mund të pini kupën, që do të pi unë, apo të pagëzoheni me pagëzimin që do të pagëzohem unë? Ata i thonë: Mundemi. Edhe ai u thotë: Kupën time do ta pini, edhe me pagëzimin që pagëzohem unë do të pagëzoheni; por të rrini në të djathtën time dhe në të majtën time, nuk është në dorën time ta jap, por do t’u jepet atyre që u është bërë gati nga Ati im. Edhe të dhjetët, kur dëgjuan, u zemëruan për të dy vëllezërit. Po Jisui pasi i thirri pranë, tha: E dini se të parët e kombeve me forcë i zotërojnë ata, edhe të mëdhenjtë fort i shtypin. Po kështu nuk do të jetë ndër ju; por kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj; Edhe kush të dojë të jetë i parë ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj, ashtu si Biri i njeriut nuk erdhi që të shërbehet, po që të shërbejë, edhe të japë jetën e tij shpërblim për shumë vetë.