Ç’duhet pra, vëllezër? Kur mblidheni, secili prej jush ka diçka për të thënë: psalm ka, mësim ka, gjuhë ka, zbulesë ka, përkthim gjuhësh ka, të gjitha këto le të bëhen për ndërtim.
Në foltë dikush gjuhë të panjohur, le ta bëjnë këtë dy nga dy, ose shumë-shumë tre nga tre, edhe këtë me radhë dhe njëri le të përkthejë.
Dhe në mos pastë përkthyes, le të heshtë në kishë, edhe le të flasë me veten e tij dhe me Perëndinë. Le të flasin edhe dy a tre profetë, edhe të tjerët le të gjykojnë. Edhe nëse ndonjë tjetri që rri pranë i vjen zbulesë, i pari le të heshtë.
Sepse të gjithë njëri pas tjetrit mund të profetizojnë, që të mësojnë të gjithë, edhe të gjithë të ngushëllohen. Edhe shpirtrat e profetëve u nënshtrohen profetëve, sepse Perëndia nuk është Perëndi trazimi, po paqeje. Si në të gjitha kishat e shenjtorëve, gratë tuaja le të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet atyre të flasin, po të ulin kryet, siç thotë edhe ligji.
Po nëse duan të mësojnë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi; sepse është turp për gratë të flasin në kishë. Apo prej jush doli fjala e Perëndisë? Apo vetëm tek ju arriti?
Në i duket ndonjërit se është profet ose njeri shpirtëror, le të dijë se këto që po ju shkruaj janë porosi të Zotit. Por nëse dikush nuk e di këtë, le të mos e dijë.
Prandaj, o vëllezër, kërkoni me zell të profetizoni, edhe mos i ndaloni të flasin gjuhë. Të gjitha le të bëhen siç ka hije e me rregull.
Edhe Jisui hyri në tempullin e Perëndisë dhe nxori jashtë gjithë ata që shisnin e blinin në tempull, edhe përmbysi tryezat e këmbyesve të monedhave, edhe ndenjëset e atyre që shisnin pëllumba.
Edhe u thotë atyre: Eshtë shkruar “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje”; por ju e bëtë atë “shpellë kusarësh”. Edhe i erdhën pranë të verbër e të çalë në shenjtërore; edhe i shëroi.
Edhe si i la ata, doli jashtë qytetit, në Betani, edhe atje e kaloi natën.
Edhe në mëngjes kur u kthye në qytet, i erdhi uri. Edhe kur pa një fik në rrugë, erdhi tek ai, po nuk gjeti gjë në të, veç fletë vetëm. Edhe i thotë: Mos u bëftë më fryt prej teje për gjithë jetën. Edhe fiku menjëherë u tha. Edhe nxënësit kur panë, u çuditën, e thanë: Si u tha fiku përnjëherë?!