E diel, 6 gusht 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Petro 1:10-19.

Prandaj, o vëllezër, kujdesuni më tepër të siguroni thirrjen dhe zgjedhjen tuaj; sepse duke bërë këto, nuk do të mëkatoni kurrë. Sepse kështu do t’ju jepet juve plotësisht hyrja në mbretërinë e përjetshme të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Prandaj nuk do të përtoj t’jua kujtoj këto përherë, ndonëse i dini, edhe jeni të qëndrueshëm në këtë të vërtetë. Por unë mendoj se është e drejtë, deri sa jam në këtë tendë, t’ju nxis duke jua sjellë ndërmend. Sepse e di, se së shpejti do ta hedh tej tendën time, sikurse edhe Zoti ynë Jisu Krisht ma shfaqi. Por do të kujdesem që ju, edhe pas vdekjes sime, të mundeni përherë t’i kujtoni ato. Sepse jua bëmë të ditur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht, jo duke shkuar pas përrallave të thurura me mjeshtëri, por duke ju treguar se me sytë tanë e pamë madhështinë e tij. Sepse mori nder e lavdi prej Perëndisë Atë, kur i erdhi atij një zë i tillë prej lavdisë së madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin unë gjeta pëlqim”. Edhe këtë zë e dëgjuam se erdhi nga qielli, kur ishim bashkë me të në malin e shenjtë. Edhe kemi më të vërtetuar fjalën profetike, për të cilën bëni mirë të shikoni si në një kandil që ndrit në një vend të errët, derisa të zbardhë dita, edhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja.

UNGJILLI - Mateu 17:1-9.

Edhe pas gjashtë ditësh Jisui merr me vete Pjetrin edhe Jakovin edhe Joanin, vëllanë e tij, edhe i ngjit mbi një mal të lartë veçan. Edhe ndërroi fytyrën përpara tyre; edhe fytyra e tij ndriti porsi dielli, edhe rrobat e tij u bënë të bardha porsi drita. Edhe ja tek iu dukën atyre Moisiu dhe Ilia duke folur bashkë me të. Edhe Pjetri u përgjigj e i tha Jisuit: Zot, mirë është të jemi këtu. Nëse do, le të bëjmë këtu tri tenda, një për ty dhe një për Moisiun e një për Ilian. Edhe ndërsa ai ishte ende duke folur, ja tek i mbuloi ata një re e ndritshme; edhe ja një zë nga reja tek thoshte: Ky është biri im i dashur, që e pëlqeva. Atë dëgjoni. Edhe nxënësit me ta dëgjuar, ranë përmbys, edhe u frikësuan fort. Po Jisui erdhi pranë dhe i preku e tha: Ngrihuni, e mos u frikësoni. Edhe kur ata ngritën sytë, nuk panë asnjë, përveçse Jisuin vetëm. Edhe tek zbritnin nga mali, Jisui i urdhëroi, duke thënë: Mos i thoni asnjeriu se ç’patë, deri sa të ngjallet i Biri i njeriut prej së vdekurish.