Me bekimin dhe mbështetjen financiare të Kryepiskopit Anastas u zhvillua kampi i tretë për një javë për vajza në Mitropolinë e Korçës pranë ambienteve të manastirit të hirshëm “Fjetja e Hyjlindëses Mari” në Boboshticë. Për të dytin vit me radhë ky kamp zhvillohet në këto ambiente për shkak të pozicionit ku ndodhet manastiri, kushtet që ofron por edhe për shkak të freskisë që të dhuron në ditët e nxehta të Korrikut por edhe fillimit të Gushtit.
Qetësia, soditja dhe meditimi nuk mund të mos përjetohen në këtë vend të shenjtë nga të gjithë të pranishmit. Vizitat nëpër kishat e hershme duke nisur nga shekulli i XIV si kisha e “Shën Joan Pagëzorit” dhe “Shën Dhimitri” në Boboshticë, kishat e reja si ajo e kishës së Shën Nikollës një dhuratë e bërë nga Kryepiskopi Anastas për besimtarët e devotshëm të Boboshticës por edhe kisha të tjera të ngritura nga banorët vendas janë vërtet frymëzuese për të sapoardhurit nga Mitropolitë e ndryshme të vendit.
Bisedat shpirtërore në çdo mbrëmje për gjatë gjithë ditëve të qëndrimit në Mitropolinë e Korçës nga klerikë dhe teologë pasuruan shpirtrat tanë të mbushura me falënderime dhe mirënjohje.
Pjesmarrja në Liturgjinë Hyjnore ditën e Diel në katedralen madhështore “Ngjallja e Krishtit” në qendër të qytetit, biseda shpirtërore me Mitropolitin e Korçës Hirësi Joanin me temë “Mësoni nga Unë” fjalë të thëna nga vet Zoti ynë Jisu Krisht që përbënin edhe temën qëndrore të kampeve të këtij viti, të cilin e falënderuam për gjithë mbështetjen dhe përkujdesjen e Tij të pandërprerë përgjatë ditëve të qëndrimit tonë në kamp, përmbushën edhe qëllimin e qëndrimit tonë përgjatë një jave të veçantë dhe të paharrueshme.
Me shpresë se kjo traditë e bukur përgjatë verës nuk do të pushojë së zhvilluari edhe në vitet në vijim në manastirin e hirshëm “Fjetja e Hyjlindëses Mari” në Boboshticë i cili nën kujdesjen e veçantë të Atë Mihal Sanellarit po kthehet në një qendër mjaft e rëndësishme shpirtërore jo vetëm për besimtarët e qytetit të Korçës dhe rrethinave të saj por për të gjithë shpresëtarët nga të katërta anët e vendit.