E hënë, 11 shtator 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Galatianëve 2:11-16.

Edhe kur erdhi Pjetri në Antioki, e kundërshtova në sy, sepse ishte për t’u qortuar, sepse pa ardhur disa veta nga Jakovi, hante bashkë me kombet; po kur erdhën, u tërhoq dhe veçoi veten e tij, sepse kishte frikë nga ata që ishin të rrethprerjes. Edhe bashkë me atë u hoqën veç edhe Judenjtë e tjerë, aq sa edhe Barnaba u tërhoq në hipokrizinë e tyre. Po kur pashë se nuk ecin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit përpara të gjithëve: Në qoftë se ti që je Jude rron si kombet, e jo si Judenjtë, pse i detyron kombet të rrojnë si Judenjtë? Ne që jemi prej natyre Judenj dhe jo prej kombesh mëkatarë, duke ditur se nuk drejtësohet njeriu prej veprash ligji, veçse me anë të besimit të Jisu Krishtit, edhe ne i besuam Krishtit Jisu, që të drejtësohemi prej besimit të Krishtit, dhe jo prej veprave të ligjit; sepse asnjë mish nuk do të drejtësohet prej veprave të ligjit.

UNGJILLI - Joani 12:19-36.

Farisenjtë pra, i thanë njëri-tjetrit: E shihni se nuk keni dobi fare? Ja bota tek shkoi pas atij. Edhe prej atyre që ngjiteshin për t’u falur në të kremten ishin edhe disa grekë. Këta pra, erdhën te Filipi nga Betsaida e Galilesë, edhe i luteshin, duke thënë: Zot, duam të shohim Jisuin. Filipi vjen e i thotë Andreas; dhe përsëri Andrea e Filipi i thonë Jisuit. Edhe Jisui iu përgjigj atyre, duke thënë: Erdhi ora që të lavdërohet Biri i njeriut. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos rëntë kokrra e grurit në dhe e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë fryt. Ai që do jetën e tij do ta humbasë; po ai që urren jetën e tij në këtë botë, do ta ruajë për jetë të përjetshme. Në më shërben ndonjë, le të më vijë pas; edhe ku të jem unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im; edhe në qoftë se më shërben ndonjë, Ati im do ta nderojë. Tani shpirti im është i trazuar; edhe ç’të them? Atë, shpëtomë nga kjo orë. Po prandaj erdha në këtë orë. Atë, lavdëro emrin tënd. Erdhi pra një zë nga qielli: Edhe e lavdërova dhe përsëri do ta lavdëroj. Turma pra, që qëndronte dhe dëgjoi zërin, thoshte se u bë bubullimë; të tjerë thoshin, se engjëll i foli atij. Jisui u përgjigj e tha: Ky zë nuk u bë për mua, po për ju. Tani është gjyqi i kësaj bote; tani prijësi i kësaj bote do të hidhet jashtë. Edhe unë, në u ngritsha lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë drejt vetes sime. Edhe këtë e thoshte duke treguar me çfarë vdekjeje kishte për të vdekur. Turma u përgjigj: Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; edhe si thua ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Cili është ky Biri i njeriut? Jisui pra, u tha atyre: Edhe pak kohë është drita bashkë me ju. Ecni deri sa keni dritën, që të mos ju zërë errësira; sepse ai që ecën në errësirë, nuk di se ku shkon. Deri sa keni dritën, t’i besoni dritës, që të bëheni bij të dritës. Këto foli Jisui, edhe iku e u fsheh prej tyre.