Mbajani barrët njëri-tjetrit, edhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit. Sepse në i duket ndonjërit se diç është, duke qenë asgjë, gënjen vetveten. Por gjithësecili le të provojë punën e tij, dhe vetëm atëherë do të ketë përse të mburret për vetveten, edhe jo për tjetrin. Sepse gjithësecili do të mbajë barrën e vet.
Edhe atij që i mësohet fjala, le të bëjë pjesëtar në të gjitha të mirat atë që e mëson. Mos u gënjeni, Perëndia nuk përbuzet; sepse ç’të mbjellë njeriu, këtë edhe do të korrë. Sepse ai që mbjell në mish të tij, prej mishit do të korrë prishje; por ai që mbjell në Frymë, prej Frymës do të korrë jetë të përjetshme. Le të mos ligështohemi pra duke bërë të mirën, sepse po të mos ligështohemi, do të korrim në kohën e duhur. Prandaj deri sa kemi kohë, le të punojmë të mirën në të gjithë, e më fort në ata që janë në një besim me ne.
Edhe Jisui plot me Frymë të Shenjtë u kthye nga Jordani; edhe u pru me anë të Frymës në shkretëtirë, ku ishte duke u ngarë nga djalli dyzet ditë.
Edhe nuk hëngri asgjë në ato ditë; edhe si u mbushën ato, pastaj i erdhi uri. Edhe djalli i tha: Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë.
Edhe Jisui iu përgjigj atij, duke thënë: Eshtë shkruar “Se njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo fjalë të Perëndisë”.
Edhe djalli e hipi mbi një mal të lartë, e i tregoi atij gjithë mbretëritë e botës në një grimë kohe. Edhe djalli i tha: Ty do të ta jap tërë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse mua më është dhënë, dhe kujt të dua ia jap. Nëse ti pra falesh përpara meje, e gjitha do të jetë jotja.
Po Jisui u përgjigj e i tha: Shporru prapa meje, Satana, sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd, do t’i falesh, edhe vetëm atë do të adhurosh”.
Edhe ai e pruri atë në Jerusalem dhe e vendosi mbi majën e tempullit, edhe i tha: Nëse je i Biri i Perëndisë, hidhe veten tënde së këtejmi poshtë. Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty, që të të ruajnë”; edhe “Se do të të ngrenë ty mbi duar, që të mos përpjekësh këmbën tënde në gur”.
Edhe Jisui u përgjigj e i tha se është thënë: “Nuk do të ngasësh Zotin Perëndinë tënd”.
Edhe djalli pasi mbaroi çdo ngasje, u largua prej tij deri në një kohë.
Edhe Jisui u kthye me fuqinë e Frymës në Galile; edhe doli zë për të në gjithë vendin për rreth. Edhe ai i mësonte nëpër sinagogat e tyre, duke u lavdëruar prej të gjithëve.