Pavli, apostull i Jisu Krishtit me vullnetin e Perëndisë, shenjtëve që janë në Efes dhe besimtarëve në Krishtin Jisu, hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jisu Krisht.
I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, që na bekoi me çdo bekim shpirtëror në vendet qiellore me anë të Krishtit, siç edhe na zgjodhi ne me anë të tij para se të themelohet bota, që të jemi shenjtorë dhe të paqortueshëm përpara tij në dashuri, duke na paracaktuar për birësim tek vetë ai me anë të Jisu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të tij, për mburrje të lavdisë së hirit të tij, të cilin na e dhuroi me anë të të Dashurit të tij, tek i cili kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e fajeve, sipas pasurisë së hirit të tij, të cilin na e dha me të tepërt me çdo urtësi e mençuri, duke na njohur misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që e pati paracaktuar në vetvete.
Edhe erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur; edhe sipas zakonit të tij hyri në sinagogë ditën e shtunë, edhe u ngrit të lexojë. Edhe iu dha libri i profetit Isaia; dhe si hapi librin gjeti vendin, ku ishte shkruar: “Fryma e Zotit është mbi mua; prandaj më leu me vaj; më dërgoi t’u ungjillëzoj të varfërve, të shëroj ata që kanë zemrën të thyer, t’u predikoj skllevërve liri, edhe të verbërve rihapjen e syve, edhe të dërgoj të shtypurit në liri; të shpall vit të pranuar nga Zoti”.
Edhe si mbylli librin, ia dha prapë shërbyesit, edhe ndenji; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë ishin ngulur mbi të.
Edhe zuri t’u thoshte atyre se sot u përmbush ky shkrim në veshët tuaj. Edhe të gjithë dëshmonin për të, dhe çuditeshin për fjalët e hirit që dilnin prej gojës së tij, dhe thoshin: A nuk është ky i biri i Josifit?